Një çift i cili e kishte pasur takimin e parë në një restorant të Chicagos, u rikthye aty në përvjetorin e 20-të të këtij takimi dhe i la stafit bakshish prej dymijë dollarësh.
Jim Higgins, pronari i restorantit, tha se çifti i kishte vizituar çdo vit në datë të njëjtë për të shënuar përvjetorin e takimit të tyre të parë.
Eddie Cruz, banakieri dhe kamerieri i restorantit, kur shkoi ta pastronte tavolinën e çiftit tashmë të martuar, u befasua kur pa që ata kishin lënë bakshishin e majmë.
“Faleminderit për 20 vjet kujtime të mira, ushqim të shkëlqyeshëm dhe shërbim të jashtëzakonshëm. Gëzuar për shumë të tjera”, shkroi çifti në faturë.
Higgins tha se burri e gruaja kërkuan që bakshishi të ndahej mes stafit të restorantit.
“Kjo ju bën që për pak edhe të qani. Është aq zemër-ngrohëse kur njerëzit janë aq bujarë”, tha Cruz.