Ka vdekur në moshën 83 vjeçare kompozitori Agim Krajka.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.
“Më duket si dje kur së bashku ‘thyem’ karantinën në sheshin ‘Skënderbej’, në Ditën e Muzikës, me koncertin aq të suksesshëm ‘Të gjithë e duan Agim Krajkën’. Ne nuk gjenim dot simbolikë më të bukur se kaq. Sepse shqiptarët të kanë dashur dhe do të të duan përtej çdo kufiri moshor, sepse krijimtaria jote është e pakohë, që nga këngët ‘hit’, tek orkestrimi i gurrës popullore. Do të ishte e zbrazët të thosha se sa shumë do të na mungosh me atë energji e rini të jashtëzakonshme, por me gjasë, tani je duke kompozuar një tjetër muzikë në amshim. Do të jesh gjithnjë̈ me ne mjeshtër dhe duartrokitjet janë për ty edhe në këtë ditë, kur fizikisht duhet të të themi lamtumirë!”, ka shkruar Margariti në Facebook.
Krajka ishte ndër kompozitorët më në zë në Shqipëri. Ai kompozoi pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.
Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës dhe ka fituar disa çmime.Agim Krajka lindi në Kavajë, më 3 maj 1937.