Artisti Mehdi Mulaj ka realizuar një monoloh kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars.
Monolog me Komandantin
(Kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij)
Komandant, erdha të flas me ty. E di se heshtja jote flet më shumë sesa fjalët e mia. Nuk qenke plakur! Përvjetorët shkojnë e vijnë, por shtati yt madhështohet edhe më shumë. Dheu nuk e tret gjakun e dëshmorëve, prandaj lulet mbi varr i ke të njoma.
Majat e larta të maleve zhdirgjen tek ju në themel e marrin krenari për ta mbajtur kurorën mbi supe.
Komandant, para trupit tënd horizontal vështirë të qëndroj vertikalisht nga turpi i ne të gjallëve. Kulmi i krenarisë sate i jep kuptim jetës sonë dhe na bëjnë të mendojmë se të gjallët e kanë një arsye që jetojnë, kurse liria e ka një arsye që ekziston.
E kur ne vdesim për së gjalli, vijmë tek ju dhe mbushemi jetë, marrim forcë për t’i dhënë kuptim qenies sonë.
Vijmë te kulla, aty dëgjojmë grykën e pushkës sate, dëgjojmë edhe këngën e Hamzës me sharki, i cili qëndron në ballë të oxhakut, në dasmën e përgjakur të Kosovës.
Bacë Shabani mban rendin në dasmë që të mos koritet me mysafirët e paftuar, ua jep hakun siç e kemi zakon.
Gratë e vajzat, në vend të bukës, sjellin gjerdan me fishekë për trimat. Nuk është kohë ushqimi, uria e tyre do të shuhet në sofrën e madhe të lirisë.
Fëmijët e kanë ndryshuar lojën, diçka e zakonshme për ta – lojë me aromë baruti. Në vend se të mësonin për historinë, ata po bëheshin pjesë e saj.
Nënë Zahide, shtyllë e kombit tonë, na e bëjë hallall qumështin e gjirit tënd. Ah sikur ne të gjallët të thithnim qumësht nga gjoksi yt, se na është bërë gjaku ujë.
Komandant, ju u ngjitët në grada të larta, sepse Krijuesi kështu i do njerëzit e vërtetë, të cilët kurrë nuk e harrojnë misionin e tyre në tokë.
Ah sikur ta dimë për shpërblimin që është përgatitur për dëshmorët, s’do të vdisnim ndryshe veçse si të tillë.
Komandant, nëse na sheh duke ecur rrugës së gabuar, mos u çudit, nuk e kemi humbur atë, por po ecim rrugës të cilën e kemi shtruar me veprat tona.
E ju mos u merzitni, se toka prej nga erdhët do t’ju mbajë ngrohtë e do t’ju shfaqë para syve tanë sa herë që ne e harrojmë rrugën e Zotit e të kombit.