Gazeta më e madhe izraelite “Haaretz” ka raportuar sot për vendimin e Republikës së Çekisë për hapjen e Zyrës Diplomatike në Jerusalem.
Një vendim të tillë e ka marrë kryeministri çek, Andrej Babis, duke e bërë kështu shtetin e tij me përfaqësi diplomatike në Izrael.
Teksa ka folur për hapjen e Zyrës Diplomatike, Babis ka thënë se një vendim i tillë është edhe një hap drejt forcimit të raporteve në mes të dy shteteve.
Një vendim të tillë e ka mirëmpritur edhe kryediplomati izraelit, Gabi Ashkenazi. Ashkenazi e ka cilësuar si “dëshmi të mëtejshme të thellimit të miqësisë me popullin dhe qeverinë e Republikës Çeke”.
Në ceremoni ishte planifikuar të merrte pjesë edhe kryeministri Benjamin Netanyahu, por siç kanë raportuar mediat lokale atje, për shkaqe shëndetësore nuk ka participuar në event.
Më herët kur ishte marrë vendimi nga Çekia për hapjen e një Zyre Diplomatike, Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabi Ashkenazi, e kishte cilësuar si një hap tepër të rëndësishëm që tregon miqësinë mes dy popujve.
Ky është një hap i rëndësishëm që është tregues i miqësisë midis dy popujve dhe njohjes së Jeruzalemit si kryeqyteti i përjetshëm i Shtetit të Izraelit dhe popullit hebre.
“Është shpresa ime e sinqertë që zyra diplomatike Çeke do të inaugurohet në Jeruzalem në të ardhmen e afërt dhe ne do të shohim flamujt e vendeve të ngritura mbi misionet diplomatike në kryeqytetet e të dy vendeve, si një simbol i miqësisë së guximshme dhe partneritetit strategjik midis vendeve ”, kishte thënë Ashkenazi në dhjetor të vitit të kaluar.
Përveç Çekisë, edhe Kosova ka vendosur raporte diplomatike me shtetin e Izraelit dhe pritet që shpejtë të hapet Ambasada e Kosovës në Jerusalem. Netanyahu e ka ftuar edhe Albin Kurtin që të marrë pjesë në inaugurim.