Numri i lartë i të infektuarve me COVID-19 ka bërë që në Mjekësinë Sportive të jenë të lirë vetëm edhe 5 shtretër, pasi 90 të tjerë janë të zënë me pacientë të infektuar. Në këtë njësi pothuajse të gjithë pacientët po arrijnë të marrin frymë fal oksigjenit.
Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti ka deklaruar se tashmë të gjitha kapacitetet spitalore në këtë njësi i kanë mbushur me të infektuarit me COVID.
Ai thotë se gjendja e pacientëve është e rënduar pasi shumica kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese.
“Aktualisht i kemi 90 pacientë të shtrirë thuajse janë të mbushura komplet kapacitetet e Mjekësisë Sportive apo Klinikës Infektive 2, me 95 shtretër me kyçje në oksigjen qendror…Shumë e madhe vetëm në tri javët e fundit nga fundi i shkurtit e deri në fillim të marsit kemi çdo ditë rritje të pacientëve që kërkojnë hospitalizim dhe hospitalizime të shumta. Vetëm gjatë këtyre tri jave ku unë e udhëheq janë 172 pranime të reja…01\31 Pacientët janë mesatarisht të rëndë dhe të rëndë, pacientët e rëndë janë ata që janë me COVID por që janë edhe me sëmundje shoqëruese që janë një numër i madh i pacientëve që janë transferuar nga klinikat të tjera të cilët trajtohen nga sëmundjet tjera por kanë rezultuar pozitiv dhe është dashur me u transferuar këtu për shkak të izolimit.” theksoi ai.
Ahmeti shton se me gjithë këto raste në këtë njësi nevoja për staf infermieror është e madhe, prandaj kërkon që të rritet numri i tyre sa më shpejt.
Brenda kësaj hapësire, ku përveç zhurmës së aparaturave, vështirë që mund të dëgjohet gjë tjetër, pasi që shumica e pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me oksigjen, pacientët vazhdimisht falënderojnë stafin dhe apelojnë tek qytetarët për kujdes.
Kosova javëve të fundit është duke u ballafaquar me një shifër të lartë të të infektuarve, vetëm në 24 orëshin e fundit pozitiv kanë rezultuar 828 qytetarë, ndërsa kanë humbur jetën edhe 8 të tjerë.
E përkundër këtyre shifrave institucionet përgjegjëse ende nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID për qytetarët, kështu Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon pa vaksina.