Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes.
Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme.
Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Osmani ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Mandati i presidentit është pesë vjet. Pas përfundimit të mandatit të parë, presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë.