Borhesit i ishte bërë zakon të thoshte se e kishin ndikuar të gjithë poetët që kishte lexuar. E kujtoj këtë thënie, sa herë më kalon nëpër mend lista e autorëve që kanë lenë gjurmë në fillimet e mia letrare. Brehti është një prej tyre
Preç Zogaj
Emrin e shkrimtarit gjerman ma kishte zënë syri të shkruar në afishet e Teatrit Popullor, që lajmëronin shfaqjet e dramës “Arturo Ui”. Kanë qenë vitet 1973-1974. Ishim një grup shokësh të vitit të parë e të dytë të shkollës së mesme të Kulturës, dega Regjizurë, që shkonim rregullisht në Teatër. Specifikat e një shfaqjeje teatrore bëjnë që emri i autorit të pjesës të ngelet në hije, përkundrejt emrave të aktorëve dhe regjjisorit. Aktori i madh Kadri Roshi, që launte rolin e Arturo Ui-së, dukej sikur e merrte dhe e sillte në skenë personazhin kryesor drejt e nga jeta e gjallë. Po ashtu gjithë kasti i aktorëve, njëri më i talentuar se tjetri, ku spikaste i paharruari Prokop Mima në rolin e Xhivolës. Kur shijonim shfaqjen e asaj drame të fuqishme, që ishte një alegori e drejtpërdrejtë e ngjitjes banditeske të Hitlerit në pushtet, asnjëri prej nesh nuk e dinte se autori i saj, Bertold Breht, kishte vdekur.
Do të kalonin disa vite dhe vetëm pasi mbarova shkollën e mesme dhe po prisja çfarë më kishte rezervuar fati për shkollimin tim universitar, zbulova Brehtin-poet në një vëllim me titullin e thjeshtë “Poezi”, të cilin e mora në bibliotekën e Lezhës. Në atë përmbledhje të përkthyer nga Lasgush Poradeci, Brehti vinte kryesisht si një poet i angazhuar, gati-gati revolucionar, sipas klisheve letrare që mësoheshin në shkollë. Gjeje aty tituj dhe vargje e të shkruara si trakte, si komunikata, si thirrje. Datonin periudhën e Bojaxhiut – epiteti standard i Brehtit për Adolf Hitlerin. Kuptohej se ishin shkruar për nevoja utilitare të zgjimit dhe bashkimit të njerëzve kundër së keqes naziste. Gjeje ndërkaq faqe pas faqeje poezi politike e sociale të thella, të mbështetura në gjetje origjinale, të shkruara thjesht, të pasura në efektet emocionale që shkaktonin. Dukej qartë se angazhimi brehtian kishte diçka të ndyshme nga poezia e angazhuar që shkruhej në vendin tonë. Nuk ishte i kërkuar; autorit nuk i kërkonte kush të ishte i angazhuar. E kishte vokacion të vetin prej njeriu të lirë, prej poeti-tribun. Kuptohej se nuk kishte ardhur nga shkolla e realizimit socialist dhe nuk ishte idhtar i saj.
Larmia tematike brehtiane e pasuroi kuptimin tim për poezinë: Mund të shkruhej për gjithçka, nëse kapje thelbe të dukurive shoqërore dhe gjeje forma stilistikore të thjeshta që mundësojnë një marrëdhënie ndëraktive me lexuesin e çdo shtrese. Kujtoj këtu, si një prej shembujve ilustrues, poezinë me titull “Bashkëshkollarët me të varfër të mëhallave”, që më pati prekur sa me pyetjet retorike kuptimplote, aq edhe me aliazhin e dhimbjes dhe hidhësisë në fund të saj.
….Po përse u mësonin gramatikën greke,
Luftrat e Çezarit, formulën e sulfurit, shifrën “Pi”?
Në Flandër, në varrezat e plebejve të paracaktuara për ta
S’kërkonin gjë tjetër veç gëlqere.
Por poezitë që më mbajtën të lidhur përgjithmonë me atë vëllim të parë të Bertold Brehtit ishin dy. Njëra që i kushtohej poetit francez Fransua Vijon dhe tjetra, më e bukura, ajo me tutullin “Legjeda e rospisë Evelin Ru”. Sidomos te kjo e fundit, autori e shtrinte idiomën e tij poetike në sferën e shpirtërores dhe metafizikes. Me dhuntinë e të mësuarit përmendësh, i mbarta shpejt nga letra në mendje, të dyja këto poezi. Atë kushtuar Vijon-it, emrin e të cilit nuk e kisha dëgjuar deri atëherë, ia kam recituar disa herë qiellit të Tiranës, një natë vere të vitit 1977 nga bari i butë i lulishtes para ish-kafenesë “Rinia”.
Frasua Vijoni kish prindër të vobektë,
Ia tundën djepin të ashprat stuhi,
Ne erë e borë i shkoi rini e shkretë
I bukur ish veç qielli sipër tij.
Fransua Vijoni që s’njohu shtrat në botë
Kuptoi mirë e shpejt ç’e mirë ish erë e ftohtë.
Shpërblim i ëmbël i qiellit s’e grishte,
Shpejt policia krenarinë i theu:
Po dhe ky pra, një bir i zotit ishte
Megjithëse verë e shi: shtegtim të gjatë kreu
Fron’i torturës në fund e shpërbleu.
“Legjenda e rrospisë Evelin Ru” ishte një baladë e keqardhjes së thellë, përzier me një cinizëm të frenuar e të nënkuptuar të dijes për rrengjet dhe sarkazmat që u rezervon vrazhdësia shpirtrave të butë e të dlirë, të marrë në zotërim nga utopitë, nga flateritë e ëmbla eskatologjike, apo për ta thënë me një fjalë – që nuk duhej të tingëllonte si fjalë e keqe, nëse nuk do të shkaktonte tragjedi, – nga naiviteti. Tragjedia në fatin e së resë Elelin Ru, kalon nëpër trajektoren që starton nga pafajësia dhe thirrja e saj e brendshme për t’iu flijuar krijuesit. ( S’ish kurrë e qetë kur vinte pranvera/ Dhe deti ish ngjyrë blu,/ Dhe erdhi me lundrën e fundit në bord/ E reja Evlin Ru/ “Më merr kapiten në vendin e Shenjt’/ Te Jezu Krishti, im zot”/ “Moj femër të vish se në jemi pa mend/ Dhe ti me hire plot”) – Lartohet e sheshohet në kurthet, mundimet dhe zhgënjimet prej të përdhunuare në anijen e ëndrrës, që është bërë anija e mallkimit ( Vallëzonte natën, vallëzonte ditën/ U bë si kufomë e zbehtë/“Kur vemë zoti kapiten/ Në qytetin e Krishtit të shenjtë”?/ E puthte kapiteni dhe qeshte,/ I shtrirë në gji të saj:/ “Në ka faj dikush që s’vemë kurrë/ Ti Evlin Ru ke faj”), dhe thyhet me hedhjen e saj nga anija në det mes dallgëve të errëta. (Dhe rendi shumë katart më katart/ I dhembin zemër e këmbë/ Dhe natën u hodh pa e parë njeri /Në det me shpirt ndër dhëmbë).
Por nuk përfundon këtu. Legjenda e saj, një lloj eufemizmi paksa ironik, do të ketë për epilog gjykimin e mbramë, ku do të lihet në askundin e dyerve të mbyllura qoftë nga Shën Pjetri, qoftë nga Shejtani.
Kur erdh pranvera në qiell shën Pjetri
Ia mbylli derën, bubu!
“Më tha Perëndia: S’dua të kem
Rospinë Evlinë Ru!”
Dhe kur pataj në ferr ajo erdhi
Ia mbyllën derën , bubu!
Shejtani bërtiti: “ S’dua të kem
fetaren Evlin Ru!”
Në fakt, në komleksitetin e saj, kjo baladë mbetet një anatemë e fuqishme kundër fanatizmit çnjerëzor, që e mban qenien në ndëshkimin e përjetshëm dhe fatal të gabimit a damkës. Kur e pata lexuar në krye të herës, mu ngulit në mendje si një baladë mallëngjyese thellësisht humane, pavarësisht spërkatjeve me pak hidhësi. E di përmendësh të plotë, sot e kësaj dite. Kam bindjen se do të jetë balada e fundit që do të harrroj në ketë jetë.
Më vonë kam lexuar shumë poezi të tjera të Brehtit, përkthyer nga Robert Shvarc; poezi të zgjuara, të guximshme, të thella, të menduara dhe të shkruara nga lartësia sovrane e poetit, të mbajtshme mend lehtë. Si për shembull, poezia për vendin e tij, shkruar në mërgim, që mbyllet me vargjet; “O Gjermani/ o nënë e zbehtë/ si të paskan katrandisur bijtë e tu/ që të qëndrosh në mes të vendeve/ si dordolec ose si tmerr”, vargje kuptimplote që fitonin një aktualizim të frikshëm , mjaft të zevendësoje emrin Gjermani me emrin Shqipëri. E njëjta gjë me episodin e famshëm të dramës së tij “Galileo Galilej”, ku idhtari besnik deri në idolatri i fizikanit gjenial, i përqeshur nga versnikët dhe i shkatërruar nga tërheqja e Galileut përballë kërcënimit me djegie në turrën e druve nga inkuizicioni, i drejtohet Galileut me fjalët: “Mjerim për një popull që nuk ka një gjeni”, dhe Galieu i përgjigjet: “Jo, mjerim për një popull që ka nevojë për një gjeni”.
Borhesit i ishte bërë zakon të thoshte se e kishin ndikuar të gjithë poetët që kishte lexuar. E kujtoj këtë thënie, sa herë më kalon nëpër mend lista e autorëve që kanë lenë gjurmë në fillimet e mia letrare. Brehti është një prej tyre. Ai më ka ndikuar me aftësinë për të kompozur poezi mbi tema jopoetike në dukje, sipas recetave tematike të asaj kohe. Nën ndikimin e poezisë së tij “Kënga e makinave”, kam shkruar poezinë “Këngë për tekstilistet”, që vetëm këngë nuk është. Nën ndikimin e poezisë “ Kohë e keqe për lirikën”, kam shkruar poezinë “Stinë e thatë për poezinë”, e cila ka patur fatin të nderohet me fjalë të mira nga poeti dhe njohësi i shquar i letërsisë, Gëzim Basha . “Fëmijët e Kallmetit ngjisin duhan”, është një tjetër poezi e ndikimeve të mia brehtiane.
Kështu erdhi dhe mbeti ky poet në leximet e mia të rinisë, një krijues i thjeshtë dhe i thellë, i përfshirë dhe elitar, shpërbërës i disa dogmave apo lidhjeve të shenjta dhe krijues i ca të tjerave; shëmbëlltyrë e ikanakut të pakapshëm nga erinitë, nga ndjekësit dhe përdjekësit e tij, a thua se perëndia e tij mbrojtëse, intuita dhe gjenialiteti, e njoftonin në momentin e duhur të ndërronte vend për të vazhduar punën e shkrimtarit. Në ketë përndjekje të pagjasë, vetëm koha me ndryshimet e saj do ta arrinte e do ta kalonte, duke ruajtur prej tij çfarë është artistike dhe universale.