Rreth 40% e efektivëve të Marinës së Shteteve të Bashkuara nuk kanë pranuar të marrin vaksinën e koronavirusit, raporton CNN, sipas të dhënave të siguruara nga vetë dega e ushtrisë amerikane.
Deri të enjten, rreth 75500 marinsa kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës, por 48000 të tjerë kanë zgjedhur të mos e marrin, duke e çuar në 38,9% nivelin e refuzimit. Por janë ende 102 mijë efektivë të Marinës të cilëve nuk iu është ofruar doza e parë e vaksinës.
Zëdhënësja e Korpusit të Marinsave, Kelly Frushour, tha se ka arsye të ndryshme për këtë shkallë refuzimi, përfshi edhe vendimi për të lejuar të tjerët të vaksinohen para personelit ushtarak. “Ata që refuzojnë por më pas ndryshojnë mendje mund të vaksinohen sapo t’u shfaqet mundësia tjetër”, tha ajo.
Ushtria amerikane nuk mund t’i bëjë të detyrueshme vaksinat, sepse procesi i vaksinimit po bëhet përmes autorizimit për përdorim emergjent nga FDA. Por zyrtarë të ndryshëm thonë se ngurrimi vjen në pjesën më të madhe të rasteve për shkak shpejtësisë me të cilën u realizuan dhe prodhuan vaksinat.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka një personel ushtarak prej 2,2 milionë efektivësh. Por gjendja e gatishmërisë mund të preket edhe nëse niveli i refuzimit total të vaksinimit është 10%.