Situata COVID-19 në Gjermani është sërish shumë serioze, deklaroi sot në parlament kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndërsa paraqiti modifikimin e ligjit për pandeminë që parashikon futjen në nivelin federal të “frenimit të urgjencës”.
“Fatkeqësisht, duhet ta themi sërish… vala e tretë e pandemisë po mbretëron në vend”, tha Merkel.“Ne nuk mund t’i lëmë vetëm mjekët dhe ndihmësit shëndetësorë. Ata nuk mund ta fitojnë vetëm këtë betejë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e shtetit, politikës, shoqërisë, ne qytetarëve, të gjithëve ne”, theksoi ajo.
“Virusi nuk fal asnjë hezitim. Virusi kupton vetëm një gjë: vendosmërinë dhe çdo ditë ka rëndësi”, shtoi kreu i qeverisë federale.
Kancelarja kërkoi mbështetjen parlamentare për shtesën e rëndësishme në ligjin e mbrojtjes shëndetësore.
Ajo mbrojti ndalimin e daljes si një nga masat për të përmbajtur valën e tretë të pandemisë në Gjermani, duke thënë se “nuk është një shpikje e re dhe një ilaç, por një mjet që mund të jetë i dobishëm në kombinim me të tjerët”.