Maqedonia e Veriut të mërkurën ka regjistruar 47 të vdekur me COVID-19, 627 të infektuar si dhe 765 të shëruar. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë i referohen testimit të 2,865 mostrave.Numri më i madh i viktimave është shënuar në Shkup, gjithsej 22 të vdekur ndërsa numër më të vogël kanë 15 qytete tjera.Mosha e personave të vdekur është mes 44 dhe 92 vjeç, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik.Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar rreth 148 mijë persona, prej tyre 125 mijë janë shëruar, 4.556 e kanë humbur jetën ndërsa afër 18.500 janë ende raste aktive.Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për nisjen e vaksinimit të personave të moshës mbi 70 vjeç me vaksinën Pfizer, pas mbërritjes së mbi dhjetë mijë dozave të këtij lloji.
Edhe dhjetë mijë doza tjera të vaksinës Pfizer pritet të arrijnë në vend më 26 prill, ndërkaq 200 mijë vaksina kineze deri në fund të muajit. Deri të mërkurën në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 43 mijë qytetarë kurse rreth 190 mijë të tjerë janë paraqitur për vaksinimin.Me vendim të qeverisë, masat shtrënguese kanë vazhduar edhe një jave, si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 20.00 deri në orën 05.00 si dhe puna e objekteve të gastronomisë.Drejtuesit e këtij sektori edhe të mërkurën kanë protestuar kundër ndalimit të punës ndërsa kanë shprehur pakënaqësinë edhe ndaj pakos së gjashtë të masave ekonomike dhe vonesave në ndarjen e ndihmës së premtuar financiare.
“Duhet të dimë saktë kur do të ndahen mjetet sepse pakoja e pestë u hartua në dhjetor, dhe të gjithë ne menduam se kjo krizë do të mbaronte në mars dhe procesi i rimëkëmbjes ekonomike do të fillonte, por kjo nuk ndodhi”, deklaroi Martin Angellovski nga shoqata e gastronomëve.Qeveria të martën njoftoi ndarjen e 18 milion eurove si ndihmë financiare për më shumë kategori të bizneseve të goditura nga pandemia.