Policia turke ka arrestuar 62 persona, si pjesë të hetimeve në lidhje me shkëmbimin e kriptovalutave. Të arrestuarit janë akuzuar për mashtrim të investuesve në kriptovaluta të ndryshme.
Prokuroria turke ka kërkuar arrestimin edhe të 16 personave tjerë që janë përfshirë në mashtrime nëpërmjet platformës së kriptomonedhave “Thodex”, ndërkaq arrestimet janë bërë në tetë krahina të Turqisë.
Të enjten, zyra e kryeprokurorit në Stamboll ka bërë të ditur se ka nisur hetimet rreth “Thodexit”, shkaku i ankesave të përdoruesve se nuk kishin qasje në mjetet e tyre. Mendohet se janë mashtruar së paku 391 mijë investitorë, ndërkaq vlera e investimeve në këtë platformë kap shifrën e 2 miliardë dollarëve.
Pronari i “Thodexit”, Faruk Fatih Yzer, ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e Ozerit nga Shqipëria.
Sipas mediave turke, ai ka ikur nga shteti një javë më parë. Banka Qendrore e Turqisë ka ndaluar përdorimin e kriptomonedhave për pagesa të mallrave, duke argumentuar se përbëjnë rrezik të pakthyeshëm.
Vendimi ishte marrë, pasi që shumë turq kanë kthyer vëmendjen kah kriptomonedhat për t’i mbrojtur kursimet nga inflacioni në rritje dhe rënia e vlerës së lirës turke.