Fjalë Kyçe

Neglizhenca që gjeneroi apokalipsin e virusit në Indi

Neglizhenca që gjeneroi apokalipsin e virusit në Indi

Në fillim të pandemisë, si qeveria ashtu edhe opozita treguan se sa e rëndësishme ishte të respektoheshin të gjitha masat. Sidoqoftë, me kalimin e kohës jepeshin sinjale se edhe India i kishte shmangur masat. Ndërkaq, elitat nuk u shqetësuan fare për ta dhënë një shembull të mirë.

Në ditët e para të pandemisë së koronavirusit, njerëzit në të gjithë botën ishin të shqetësuar. Pamjet nga Italia dhe New Yorku shpërfaqnin skenarë të zymtë të spitaleve të stërmbushura dhe pacientëve që vdisnin në çdo kënd të tyre.

Në një analizë për gjendjen e rëndë të Indisë, revista politike “Foreign Policy” shkruan se reagimet e dobëta të shumicës së shteteve perëndimore, që shtireshin si më të përgatitura për një pandemi, ishin sinjal se pandemia do të bënte kërdi në shtetet e varfra, sidomos mes 1.2 miliardë banorëve të Indisë.

“India dukej si vendi i përsosur për egërsimin e COVID-19 – infrastruktura shëndetësore është e pazhvilluar, dendësia e popullsisë është e lartë në zonat urbane dhe vendi tashmë vuan nga nivele të larta të sëmundjeve të tjera, si tuberkulozi dhe malaria. Të gjithë po përgatiteshin për një katastrofë, por kurrë nuk u trokiti në derë”, shkruan revista amerikane.

Ky sukses i rrejshëm ishte për shkak të veprimeve të shpejta fillestare të autoriteteve indiane, vlerëson revista “Foreign Policy”. Qeveria indiane vendosi izolim total. Kryeministri Narendra Modi e mori seriozisht çështjen e maskës. Edhe faktorë të tjerë po funksiononin në avantazhin e shtetit: India ka popullsinë më të re në botë dhe ka pasur debat nëse pjesa më e madhe e popullatës kishte imunitet paraekzistues.

Gjendje e rreme

Për pak kohë dukej sikur gjërat po përmirësoheshin – numri i rasteve vazhdonte të binte dhe qeveria dhe aleatët e saj u siguruan që vazhdimisht ta përmendnin këtë sukses.

Në shtatorin e shkuar, kur po mbaheshin zgjedhjet për kuvendin në Bihar, partia e kryeministrit Modi pretendonte se shteti shumë shpejt do ta harronte koronavirusin. Njëjtë ngjau edhe në tetor, kur zëdhënësi i partisë doli para BBC-së për të thënë se India ishte shumë afër kthimit në normalitet.

“Por, një faktor ndërlikues ishte shuma e ulët e pakos ndihmëse prej 300 miliardë dollarësh, e miratuar nga qeveria. (Sa për krahasim, Shtetet e Bashkuara me një popullsi prej më pak se një e treta e Indisë, kanë shpenzuar disa biliardë dollarë deri më tani.) India duhej të ishte më e kujdesshme në aspektin fiskal sesa Shtetet e Bashkuara, megjithëkëtë shteti nuk ka kapacitetete shpenzuese sa të SHBA-së dhe ishte e shqetësuar për një ulje të borxhit.

Me më pak lehtësim, njerëzit kishin nevojë të ktheheshin në punë më shpejt dhe izolimi ishte i papërballueshëm – nëse njerëzit nuk kanë para për të ngrënë, gjithçka tjetër është shumë më pak e rëndësishme”, vlerëson revista amerikane “Foreign Policy”.

“S’ka virus”

Përtej aspektit financiar, njerëzit në Indi nuk e merrnin seriozisht pandeminë. Kjo nuk përbën asgjë të re kur bëhet fjalë për problemet shëndetësore të Indisë. Revista amerikane jep shembull për këtë.

“Në vitet e fundit, qeveria ka tentuar ta ndalojë përdorimin e fishekzjarrëve në New Delhi për festivalin hindu të Diwalit, për shkak se bëhej ndotje e madhe e ajrit. Këto urdhëresa anashkalohen në tërësi, sepse cilësia e ajrit është shumë e dobët, si me ashtu edhe pa përdorimin e fishekzjarrëve. Për këtë arsye, kërkesat për izolim dukeshin të paarsyeshme”, shkruan revista politike.

Në fillim të pandemisë, si qeveria ashtu edhe opozita treguan se sa e rëndësishme ishte që të respektoheshin të gjitha masat. Sidoqoftë, me kalimin e kohës jepeshin sinjale se edhe India i kishte shmangur masat. Ndërkaq, elitat nuk u shqetësuan fare për ta dhënë një shembull të mirë.

Gjatë nëntorit të kaluar, kur rastet me koronavirus në Delhi po rriteshin nga 30 deri në 40 mijë në ditë, zëvendëskryeministri Arvind Kejriwal festoi Diwalin në një tempull, teksa u bënte thirrje përkrahësve të bashkoheshin me të në formë virtuale. Edhe partitë e opozitës nuk ishin më të mira. Masat për mbrojtje nga koronavirusi i kthyen në mjete politike.

Ish-kryeministri i Uttar Pradeshit, Akhilesh Yadav, kritikoi vaksinën e prodhuar në Indi si produkt të partisë në pushtet, së cilës nuk duhej zënë besë.

Në fillim kjo mund të ishte e falshme, duke pasur parasysh se numrat e rasteve në Indi dukeshin relativisht të ulët. Mirëpo, në muajt shkurt dhe mars numrat filluan të ngriheshin ndjeshëm në kohën kur qeveria nisi të bëhej e papërgjegjshme. Kah mesi i muajit shkurt, kur ngritja e rasteve nuk po ndalej, ministri i Shëndetësisë, Harsh Vardhan, u shfaq në një tubim për ta mbështetur ilaçin ayurvedic (një pseudoshkencë e përkrahur nga partia në pushtet), për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nuk kishte kurrfarë efekti ndaj COVID-19.

“Menjëherë pas këtij tubimi, komiteti kombëtar i partisë miratoi një rezolutë, duke argumentuar se India ishte fituese në luftën kundër COVID-19, duke përsëritur pretendimet e bëra nga Modi në fjalimin e tij të janarit në Forumin Ekonomik Botëror”, shkruan revista amerikane “Foreign Policy”.

Tubimet zgjedhore

Revista kritikon edhe qasjen e shtetit në organizimin e fushatës zgjedhore për pesë asambletë e shteteve të Indisë. Teksa po ndodhnin krejt këto të këqija me pandeminë, fushata e zgjedhjeve për pesë asamble kishte nisur e plotë. Bengali Perëndimor, Kerala, Tamil Nadu, Puducherry dhe Assam, përnjëherë ua mësynë qendrave të votimit. Kerala, Puducherry dhe Tamil Nadu votuan brenda një dite, ndërkaq Bengali Perëndimor dhe Assam kishin faza të shumëfishta. Ani pse fazat mund të vendoseshin në ditë të kombinuara, Komisioni Zgjedhor i Indisë nuk e mori parasysh. Me zgjedhjet erdhën edhe tubimet. Pothuajse çdo udhëheqës politik tërhoqi pas vetës mijëra përkrahës.

“Modi fillimisht vendosi të merrte pjesë në më shumë se 20 tubime, teksa ministri i Brendshëm, Amit Shah, dhe disa politikanë të tjerë do të mbanin fjalime në më shumë se 50 tubime”.

Protesta e blegtorëve

As udhëheqësit e protestës së blegtorëve nuk kanë dhënë shembull të mirë me protestat e mëdha. Protestat e tyre, që filluan gjatë vjeshtës së shkuar, kundër ligjeve të reja të bujqësisë kanë vazhduar. Vendtakimet e protestuesve nuk zbrazeshin, përkundrazi nisën të stërmbusheshin.

“Kur janë pyetur, bujqit kanë argumentuar se kur protestat kundër Ligjit për Ndryshimin e Shtetësisë u mbyllën për shkak të COVID-19, ata humbën vrullin dhe ky nuk ishte një gabim që ata donin ta bënin. Sidoqoftë, protestat e vazhdueshme kanë shkaktuar njëfarë shqetësimi – mijëra njerëz që mblidhen kudo janë një kërcënim për sigurinë publike”, vlerëson revista amerikane.

Në dështimin e udhëheqjes është e përfshirë edhe feja.

Në marsin e vitit 2020 u mbajt një kongregacion mysliman në Delhi, që rezultoi të ishte një ceremoni e përhapjes së madhe të virusit. Ngjarja dhe të pranishmit u kritikuan shumë, veçanërisht nga nacionalistët hindu, për përhapjen e virusit – mirëpo edhe festivalet hindu kanë pasur të njëjtin efekt.

Kumbh Mela është një traditë e shenjtë hinduse –katër rajone të ndara festojnë këtë traditë të shenjtë. Fillimisht, Haridwar Kumbh Mela ishte planifikuar të ndodhte vitin e ardhshëm, por u ngrit lart për shkak të shqetësimeve astrologjike. Në ceremonitë e viteve të mëparshme, brenda ditës janë tubuar 30 milionë njerëz dhe pavarësisht ngritjes së madhe të rasteve dhe shqetësimeve se ceremonia ishte një përhapëse e madhe e koronavirusit, festivali vazhdoi siç ishte planifikuar. Organizatorët insistonin se nuk do të ndalej festivali.

Festivalet dhe feja

“Për më tepër, pjesa më e madhe e Indisë festoi Holin në fund të marsit dhe si në festimet e Kumbh Melas, të pranishmit tentuan të anashkalonin bartjen e maskave dhe mbajtjen e distancës sociale”, shkruan “Foreign Policy”.

Tani, pas sa ditësh, javësh e muajsh pasi morën vendimet, politikanët e kanë kuptuar seriozitetin e katastrofës me të cilën do përballej India. Kur nisi festivali Kumbh Mela, kryeministri Modi kërkoi që të festohej në mënyrë simbolike. Shkaku i ngritjes së madhe të rasteve, politikanët nisën t’i anulonin tubimet.

“Rahul Gandhi ishte i pari që njoftoi më 18 prill se do ta anulonte pjesën e mbetur të tubimeve të tij në Bengalin Perëndimor. Kjo u pasua nga pretenduesit e tjerë që ndryshuan strategjinë: Kongresi Trinamool fillimisht vendosi të mbajë tubime më të vogla, por më vonë vendosi të bëhej plotësisht virtual dhe BJP-ja njoftoi anulimin e mega-tubimeve, por tha se do të vazhdonte me ato më të vogla. Të kthyerit nga Kumbh Mela ishin shkak i ngritjes së rasteve në shtete të caktuara dhe numrat kanë vazhduar të rriten edhe në ditët e fundit”, vlerëson revista amerikane në analizën e saj për katastrofën pandemike me të cilën po përballet India.

E gjithë kjo ka prodhuar një katastrofë komplekse. Shteteve po u mbaron oksigjeni (ose kjo situatë ka detyruar politikanët që oksigjenin ta kërkojnë me postime në Twitter), njerëzit po ndajnë shtretërit nëpër spitale dhe furrat e krematoriumeve në disa rajone janë shkrirë për shkak të përdorimit të tepruar.

Ekzistojnë indikacione se gjendja do të vazhdojë të përkeqësohet para se të përmirësohet.

Modeli i Institutit për Shëndetësi dhe Vlerësim Shëndetësor me bazë në SHBA parashikon se piku i pandemisë do të jetë në mesin e muajit maj.

“Njerëzit që morën vendimet që sollën Indinë në këtë pikë mund edhe të infektohen, por kanë qasje në oksigjenin dhe ilaçet që u duhen. Njerëzit që do të vuajnë më shumë janë ata që kanë vuajtur tradicionalisht – klasa e varfër dhe punëtore, që ndoqi shembujt e vendosur nga politikanët në të gjithë vendin”, shkruan revista amerikane./Koha.net