Fjalë Kyçe

SHBA kërcënon Kinën, nuk do të lejojë të prish rendin ndërkombëtar

SHBA kërcënon Kinën, nuk do të lejojë të prish rendin ndërkombëtar

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se sjellja e Kinës jashtë kufijve po bëhet gjithmonë e më agresive, ndërsa brenda vendit, shtypja mbi qytetarët është rritur.

Në një intervistë për CBS News, Blinken e bëri të qartë se SHBA-ja nuk do ta lejojë Kinën të minojë rendin ndërkombëtar i cili siç theksoi ai, bazohet në rregulla të qarta.

“Mendoj se me kalimin e kohës, Kina beson se mund të jetë, duhet të jetë dhe do të jetë vend dominues në botë”, u shpreh Blinken.

Por, konfrontimi ushtarak “është thellësisht kundër interesave të saj edhe të vetë Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm së fundi për çështje që nisin nga tregtia e spiunazhi, e përfundojnë tek pandemia e koronavirusit.

Blinken theksoi se qëllimi i SHBA-së nuk është ta frenojë Kinën, por të ruajë rendin e bazuar në rregulla, të cilin “Pekini po e sfidon”.

Kina, mes tjerash, është akuzuar edhe për shtim të tensioneve me Tajvanin dhe abuzim të pakicës myslimane ujgure. Kryediplomati amerikan u tregua megjithatë i kujdesshëm duke mos e quajtur atë “armike”, pavarësisht faktit që Washingtoni e ka akuzuar vazhdimisht Pekinin për vjedhjen e sekreteve tregtare dhe të pronës intelektuale.