Një gjykatë daneze ka dënuar një rus me tre vjet burg pasuar nga dëbimi nga Danimarka pa asnjë mundësi kthimi, pasi ai u gjet fajtor për spiunazh.
Siç njoftojnë mediet ruse, qytetari 36-vjeçar i Danimarkës, emri i të cilit nuk u bë publik, ishte arrestuar në muajin korrik 2020 por rasti i tij u bë publik në muajin dhjetor.
Në fund të gjykimit që ishte i mbyllur për publikun, gjykata e Aalborgut tha se, ai kishte “mbledhur informacione për disa vjet nga Universiteti Teknik i Danimarkës dhe nga një biznes në veriperëndim të vendit duke ia bartur një shërbimi rus të inteligjencës në këmbim të përfitimit financiar”.
SerEnergy, një kompani daneze e specializuar për karburante, ka konfirmuar se kishte punësuar të akuzuarin dhe gjykata e përshkroi atë të interesuar veçanërisht në “teknologjinë e energjisë”.
Bullgaria, Çekia dhe Italia janë vendet e fundit që kanë dekonspiruar rrjete të spiunazhit rus duke i dëbuar agjentët e tyre.
Në Bullgari, një rrjet spiunazhi rus u zbulua, i cili kishte afërsi me ish-oficerin e inteligjencës ushtarake Ivan Iliev. Kurse një kapiten i marinës italiane me emrin Walter Biot u kap deri sa po i shiste informacione ushtarake zyrtarëve të Ambasadës ruse në Romë.
Dhe në Republikën Çeke, Ministria e Brendshme identifikoi oficerët e Shërbimit Ushtarak rus të Inteligjencës (GRU) si autorët e dy shpërthimeve në një depo municioni në Vrbětice në vitin 2014.