Detaje të reja kanë dalë në pah në kuadër të hetimeve të autoriteteve greke në lidhje me vrasjen makabre të 20-vjeçares Caroline Crouch, disa javë më parë në banesën e saj, në Glyka Nera.
Policia bën me dije se në kuadër të të dhënave që kanë duket se janë shumë pranë zbërthimit të skenarit të vrasjes së saj pranë foshnjës së saj vetëm 11-muajshe.
Mediat greke bëjnë me dije se një kthesë e papritur ka dalë në pah gjatë hetimeve, ku autoritetet kanë dyshime se në krim është i përfshirë edhe bashkëshorti i Caroline, 32-vjeçari Babis Anagnostopulos.
Një zyrtar i grupit hetimor në një prononcim për mediat është shprehur se në kuadër të analizimit të deklaratës së dhënë në polici nga bashkëshorti ngrihen pikëpyetje nga lëvizja e sigurt e autorëve dhe informacione të tilla mund të merren vetëm përmes një personi që e njeh mjaft mirë familjen.
Ndërkohë mësohet se Caroline kishte siguruar jetën e saj për shifrën marramendëse të 1 milion eurove, fakt që ka ngritur dyshime te bashkëshorti i saj. Dyshimet e autoriteteve janë se ishte pikërisht bashkëshorti ai që njoftoi policinë, por që vetë nuk kishte pësuar asnjë lëndim.
Gjithashtu përveç bashkëshortit, hetimi është përqendruar në rreth 6-8 të burgosur gjeorgjianë dhe shqiptarë, të gjithë kanë kryer në të shkuarën grabitje të dhunshme dhe janë liruar nga burgu i Kretës.