Mbi 2.7 milionë euro në vit do të jenë më pak në buxhetin e një kompanie private, që është e licencuar për homologimin e veturave të reja dhe të përdoruara, të cilat importohen në Kosovë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Kjo për faktin se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndryshojë Ligjin për automjete, ku aktualisht parashihet që çdo automjet që hyn në Kosovë, duhet të përfundojë procedurën e homologimit. Kjo procedurë, sipas kompanisë që e kryen këtë shërbim, kushton 125 euro.
Vetëm vitin e kaluar, sipas Doganës së Kosovës, janë importuar mbi 22 mijë vetura në Kosovë, nga to mbi 19 mijë të përdorura dhe mbi tre mijë të reja. Sipas llogaritjeve, i bie se mbi 2.7 milionë euro është paguar për homologim. Në vitin 2019, në Kosovë kanë hyrë mbi 26 mijë vetura.
Plotësim-ndryshimi i këtij ligji, që i hap rrugë heqjes së homologimit të veturave, brenda një muaji mund të kalojë në ndonjërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, Salih Zyba, anëtar i Komisionit për Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, qytetarët të cilët sjellin vetura në Kosovë përmes procedurave të rregullta doganore, nuk do të kenë nevojë për pagesë shtesë për homologim.
“Do të thotë (automjetet) nga vendet e BE-së, me dokumente valide, me afat, vlefshmëri, nuk do të ketë nevojë për pagesë, për të cilën deri tash ka qenë edhe monopol, por edhe e padrejtë në raport me qytetarët”, tha Zyba.
Homologimi është një procedurë me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.
Importuesi i automjeteve është i obliguar që brenda 15 ditëve të përfundojë procedurën e homologimit ose duhet të bëhet kthimi prapa i mjetit motorik.
Disa kompani që merren me shitjen e veturave të reja dhe të përdorura, e konsiderojnë të qëlluar heqjen e homologimit. Kështu mendon edhe Diamant Avdiu, i cili merret me këtë veprimtari. Ai thotë se me heqjen e homologimit do të ulet edhe çmimi i veturave. Avdiu brenda një viti importon deri në 500 vetura nga vendet e BE-së dhe thotë se për të gjitha veturat, homologimin e paguan vet.
Çështja e homologimit të veturave, viteve të fundit ka krijuar zhurmë të madhe edhe nga shoqëria civile, deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe faktori ndërkombëtar, për shkak se është vetëm një kompani që e zhvillon këtë veprimtari në treg, duke krijuar monopol në tregun e Kosovës.
Kjo kompani është Qendra për Automjete e Kosovës “EuroLab”, që është regjistruar në vitin 2008.
Emri i kësaj kompanie është përmendur disa herë nga deputetë të Kuvendit të Kosovës edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, si pronë e vëllezërve Devolli, të cilët në Kosovë udhëheqin një numër të madh të bizneseve me aktivitete të ndryshme.
Numri i veturave që i janë nënshtruar homologimit në “EuroLab” gjatë vitit 2020 ishte 15,263, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyra për informim e kësaj kompanie.
Në kuadër të këtij numri, sipas kësaj kompanie, me probleme të ndryshme si mospërputhshmëri, defekte teknike, të aksidentuara, manipulim me kilometra dhe identitet janë 5,317 vetura.
“EuroLab” thotë se homologimi për veturat e reja aplikohet vetëm për përfaqësitë e autorizuara për mjetet e reja, të cilët, për një tip të ri nga markat që tregtojnë, sjellin një mostër automjeti me dokumentet shoqëruese dhe kundrejt një tarife të përcaktuar, fitojnë të drejtën e importit të numrit të pakufizuar të veturave të tilla.
“Këto mjete motorike nuk trajtohen nga QAK, por direkt nga përfaqësitë e autorizuara dhe me tarifë zero euro”, thotë “EuroLab”.
Ndërkaq, sa i përket kontrollit për importet e veturave të përdorura, “EuroLab” thotë se tarifa për një veturë është 100 euro dhe se kjo shumë është përcaktuar nga qeveria.
Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të tregut, ata thonë se liberalizimi është tashmë i jetësuar pasi që aktualisht shërbime të kontrollit në import për vetura të përdorura kryejnë edhe katër subjekte tjera gjithandej Kosovës.
Kontrata dhjetëvjeçare dhe vazhdimi i saj
Në vitin 2008, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, që atëkohë ishte në Partinë Demokratike të Kosovës, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë, si kompaninë e vetme për këtë veprimtari për periudhën 2009-2019.
Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkelje ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojë dhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.
Edhe pas vitit 2019, kontrata nuk ishte ndërprerë, pasi Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Pal Lekaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kishte nënshkruar një Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore, por që pamundësonte hapjen e tregut në këtë fushë.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar ish-ministrat e Infrastrukturës, Fatmir Limajn dhe Pal Lekajn, për të marrë informacione shtesë lidhur me këtë kontratë, por asnjëri nuk është përgjigjur në telefon.
Kuvendi i Kosovës në vitin 2019 kishte miratuar një rezolutë për eliminimin e rasteve të monopolit në treg, siç është rasti me homologimin e veturave.
Për këtë çështje, më pas kishin reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett dhe shefja e atëhershme e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Ata i patën bërë thirrje qeverisë të veprojë shpejt për zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës për eliminimin e rasteve të monopolit në treg.
Pas këtyre reagimeve edhe qytetarët kishin ndërmarrë një nismë përmes një peticioni, me të cilin kërkuan të ndërpritet kjo praktikë. Organizatorët e këtij peticioni, patën thënë se arsyeja pse qytetarët paguajnë 125 euro për homologim nuk është për shkak të mungesës së konkurrencës, por për shkak se Ministria e Infrastrukturës e ka përcaktuar atë çmim.
Peticioni ishte nënshkruar nga 10 mijë qytetarë të Kosovës dhe i ishte dorëzuar Kuvendit të Kosovës. Ky peticion ishte organizuar nga Hekuran Murati, që aktualisht është ministër i Financave.
Homologimi në vendet e rajonit
Radio Evropa e Lirë ka shikuar praktikën e homologimit të veturave edhe në Maqedoninë e Veriut. Në këtë shtet ka disa qendra që merren me homologim. Çdo qendër e kontrollit teknik bën edhe homologimin, që nënkupton që është treg i liberalizuar, me një çmim nga 90 deri në 110 euro. Çmimi mund të jetë edhe më i lirë, nëse importuesi sjell më shumë vetura për homologim.
Kurse në Mal të Zi, për këtë shërbim, sipas një studimi të Institutit GAP të publikuar më 2016, thuhet se janë të licencuara shtatë qendra.