Fjalë Kyçe

Sulmi kundër familjes myslimane në Kanada “ishte i planifikuar”

Sulmi kundër familjes myslimane në Kanada “ishte i planifikuar”

Drejtuesi i një kamionçine në Kanada, i cili u përplas për pesë këmbësorë, duke vrarë katër prej tyre, i goditi viktimat sepse ishin myslimanë, tha policia kanadeze.

“Ka prova që tregojnë se ky ishte një akt i planifikuar, i paramenduar dhe se familja u vu në shënjestër për shkak të besimit mysliman”, tha detektivi Paul Waight.

Sulmi ndodhi të dielën në qytetin e Londrës të provincës Ontario.

Një djalë i moshës nëntë vjeç – i mbijetuari i vetëm i familjes – ndodhet në spital me lëndime të rënda.

Viktimat ishin dy gra – të moshës 74 dhe 44 vjeçe – një burrë 46 vjeç dhe një vajzë 15 vjeçe.

Emrat e tyre nuk u bënë publikë, në përputhje me kërkesat e familjes.

Policia e identifikoi sulmuesin e dyshuar si Nathanial Veltman, 20 vjeç.

Nuk dihet ende nëse i dyshuari ka lidhje me ndonjë grup, tha detektivi Waight.

Policia po shqyrton akuzat e mundshme për terrorizëm, tha ai, duke shtuar se besohet se vrasjet janë një krim i urrejtjes.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, shkroi në Twitter se është “tmerruar” nga lajmi.

Sulmi është më i rëndi kundër myslimanëve në Kanada qëkur gjashtë vetë u vranë në një xhami të qytetit Kuebek, në vitin 2017.