Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka përshëndetur vendimin e sotëm për konfirmimin e dënimit të përjetshëm për liderin e forcave serbe në Bosnjë, Ratko Mladiq. Ai ka thënë se mendja e tij është me viktimat e gjenocidit në Srebrencië, ku më 1995 u vranë mbi 8000 burra myslimanë.
“Para 26 vjetëve gati, Mladiq udhëzoi vrasjen e rreth 8.000 burrave e djemëve të paarmatosur në Srebrenicë. Po ashtu, udhëhoqi rrethimin disavjeçar të Sarajevës dhe ishte përgjegjës për një numër të krimeve, Sot, Gjykata konfirmoi krimet e tij dhe e dënoi për gjenocid”, ka thënë Biden, përcjell njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Ai ka potencuar se SHBA-ja ka bërë shumë për të nxjerrë kriminelët para gjykatës. Po ashtu ka bërë thirrje që edhe liderët tjerë të rajonit të respektojnë vendimin e gjykatës.
“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Po ashtu forcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar që të ndodhin mizori të ardhshme kudo në botë. Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mladiqit. Ne kurrë nuk mund ta fshijmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, ka thënë Biden.