Dogana e Kosovës ka shënuar rekord të hyrash për pesë muajt e parë të një viti.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci në një intervistë për Ekonomia Online tha për herë të parë janë arkëtuar mbi 500 milionë euro, apo 27.6 për qind më shumë se në pesë muajt e parë të vitit të shkuar.
Ai tha se për herë të parë janë mbledhur 500 milionë euro për buxhetin e Kosovës.
“Dogana në këtë periudhë kohore ka mbledhur rreth 516 milionë euro e cila në krahasim me vitin e kaluar shënoi një rritje prej 26% ose 111 milionë euro më shumë, për shkak se vitin e kaluar kemi pasur rreth 404 milionë euro, dhe vitin e kaluar ka ndikuar edhe pandemia por sidoqoftë trendi i rritjes së të hyrave është pozitiv”.
“Që nga themelimi i Doganës e deri më tani asnjëherë në këtë datë që jemi nuk ka kaluar gjysmë miliardi të mbledhura për buxhetin e Kosovës dhe pra është një rritje mjaft domethënëse”, tha Stavileci për EO.
Mes tjerash Stavileci ka treguar se Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka parandaluar 618 raste tentimi për kontrabandim.
“Kemi pasur gjatë kësaj periudhe rreth 618 tentime të kontrabandimit kryesisht me mallra të ndryshme, por ka pasur automjete, kundërvajtje nëpër pikat kufitare, dhe fatmirësisht janë arritur të parandalohen”.