Një studente fotografie është vrarë nga babai i saj për të heshtur pretendimet e abuzimit seksual, u tha sot në një gjykatë në Britani.
Prokurorët thanë se më pas të dy prindërit kishin dërguar mesazhe nga celulari i vajzës duke pretenduar se ishin ajo, e duke thënë se ishte larguar nga shtëpia, për të prishur gjurmët e oficerëve që po hetonin zhdukjen e saj.
17 vjeçarja Bernadette Walker, ishte parë e gjallë më 18 korrik të vitit të kaluar, kur babai i saj Scott Walker, 51 vjeç, e mori me makinë nga shtëpia e prindërve të tij në Peterborough, u tha në gjykatën e Cambridge.
Prokurorja Lisa Wilding tha se trupi i Bernadette ende nuk është gjetur.
Ajo shto se babai i vajzës dhe nëna e saj 38-vjeçare Sarah Walker kihsin formuar një “aleancë djallëzore” gjatë një bisede telefonike më 18 korrik, për të mbuluar vdekjen e saj.
Nëna e saj nuk e kishte raportuar të humbur të bijën deri më 21 korrik, tha prokuroria.
Wilding tha se Bernadette, e cila mbante syze, kishte zakon të ngjyroste flokët në ngjyra të shumta, dhe përshkruhej nga miqtë si e rezervuar, e tërhequr dhe me shumicën e miqësive ‘online’.
Ajo njihej gjithashtu me emrin e shkurtër ‘Bea’.
Wilding tha se më 16 korrik, Bernadette i tha nënës së saj se babai e kishte abuzuar seksualisht për një numër vitesh.
“Nënë e bijë folën për akuzat atë natë, si dhe mëngjesin pasues. Nëna e saj Sarah Walker i tha Bernadette se nuk i besonte akuzat”, tha prokurorja Ëilding, duke shtuar se atë ditë u vendos që Bernadette të flinte një natë te gjyshërit, derisa gjërat të qetësoheshin.
Babai i Bernadette e la atë në shtëpinë e gjyshërve mbrëmjen e 17 korrikut dhe e mori përsëri me makinë mëngjesin tjetër, thanë prokurorët.
“Që prej ditës që është zhdukur ajo nuk ka tentuar të përdorë celularin, rrjetet sociale apo të tërheqë para në bankë. Nuk ka qenë në asnjë klinikë apo spital. Asnjë që e njihte vajzën nuk ka dëgjuar më për të prej asaj dite”, tha prokurorja.
“Prandaj siç do të argumentojmë, vajza supozohet e vdekur, dhe trupi i saj është flakur, i fshehur në zonat rurale, në orët pas vrasjes së saj”.
“Prokuroria akuzon Scott Walker si vrasës të Bea për të ndaluar që ajo të ndiqte më tej akuzat e abuzimit te tij seksual”.
“Ai më pas ka marrë dhe ndihmën e nënës, gruas së tij, për të mbuluar gjurmët, me qëllim të fitonin kohë për të hartuar pjesën tjetër të planit”.
“Në orët e ditët në vijim ata fshehën zhdukjen e saj dhe qëllimisht ngritën pista të rreme hetimi, dhe deri diku ia arritën qëllimit te tyre”.
“Kur gjyshërit i thanë ‘mirupafshim’ Bernadette-s atë mëngjes, kjo ishte hera e fundit që çdokush përveç Scott Walker, dinte më për të, e gjallë apo e vdekur”, tha Wilding.
“Nga ora 11.23 e 18 korrikut, celulari i Scott Walker, që zakonisht ishte në përdorim të rregullt, ishte i fikur. Kjo deri në ora 12.54, kur prokuroria beson se ai ka vrarë bijën e tij Bea.”
Prokurorja shtoi se kur celulari i tij u ndez përsëri, telefonata e parë që u bë ishte me Sarah Walker, dhe zgjati më shumë se nëntë minuta.
“Siç mund të kuptojmë nga provat, në atë telefonatë Scott Walker ia ka treguar gruas se e kishte vrarë Bernadette dhe se kishte nevojë për ndihmë për të mbuluar krimin”.
“Nga ai moment e tutje, Scott e Sarah Walker – nëna e babai i Beas – u bashkuan në një aleancë imorale për të fshehur, ndryshuar apo shtrembëruar rezultatet e hetimeve mbi zhdukjen dhe vdekjen e parakohshme të Bea Walker”, vijoi prokurorja.
“Ata gënjyen të gjithë ata që kishin përreth për zhdukjen e saj, në ndjekje të patundur të planit të tyre të ligë e djallëzor”.
“Dashuria dhe përgjegjësia prindërore ishte zhdukur krejtësisht, nëse kishte ekzistuar ndonjëherë”.
Më shumë se gjashtë javë më vonë ata u arrestuan, shtoi Wilding, duke u akuzuar për vrasjen e Bernadette dhe ndryshim të kursit të drejtësisë.