100 ditë pas dekretit të presidentit Reccep Tayyip Erdogan që shkaktoi dhe revoltën e grave dhe indinjatën e komunitetit ndërkombëtar, tërheqja e Ankarasë nga traktati kundër dhunës ndaj grave, ka hyrë tashmë në fuqi.
Pas javësh mobilizimi në rrugët e vendit, gratë turke u mblodhën në sheshet e qyteteve të ndryshme për të kundërshtuar vendimin e Ankarasë. Kulmi i protestave ishte Stambolli me një manifestim pranë sheshit Takim.
Turqia bëhet vendi i vetëm që tërhiqet nga Konventa për parandalimin e dhunës kundër grave. Por jo vetëm, është hera e parë në të cilën një vend anëtar i Këshillit të Evropës, tërhiqet nga një Konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Një vendim që sipas “Amnesty International” është i turpshëm dhe rindez alarmin për një devijim të qeverisë së Erdoganit. Sipas kritikëve, në këtë mënyrë Turqia ka kthyer pas akrepat e orës me 10 vite në lidhje me të drejtat e grave, si dhe ka vendosur një precedent të tmerrshëm.
Me mijëra gra turke bashkoheshin në protestë me një parullë të përbashkët: Nuk e braktisim Konventën e Stambollit, nuk ka mbaruar ende për ne. Sipas platformës “Të ndalojmë vrasjet e grave” një vit më parë të paktën 300 gra turke janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, partnerët apo familjarët.
Ndërsa që nga fillimi i vitit 2021 viktimat janë 189.
Presidenti turk mohoi që largimi nga Konventa do ta bënte më të vështirë luftën kundër dhunës ndaj grave. Në vend të kësaj, ai njoftoi një plan me pesë pika për të luftuar fenomenin, përmes rishikimit të legjislacionit përkatës dhe zbatimit të tij, duke lehtësuar qasjen e viktimave në drejtësi, forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe fillimin e një fushate të ndërgjegjësimit publik për çështjen e dhunës ndaj grave.