Një polic ka mbetur i vdekur pasi është therur me thikë të martën, gjatë shpërthimit të dhunës në një stacion transitor përbrenda godinës së Pentagonit, ndërsa i dyshuari për rastin është qëlluar nga zyrtarët e zbatimit të rendit dhe ka vdekur në vend të ngjarjes.
Pentagoni, selia e ushtrisë amerikane, është mbyllur për rreth një orë, pas shpërthimit të të shtënave në orët e hershme të së martës, sipas kohës lokale, afër hyrjes në godinë.
Një oficer i policisë së Pentagonit ka vdekur pas plagëve të pësuara nga sulmi me thikë, kanë thënë zyrtarët që kanë folur për agjencinë Associated Press, ndonëse nuk kanë qenë të autorizuar për t’u deklaruar rreth rastit.
Ndërlidhja midis të shtënave dhe therjes me thikë nuk është qartësuar ende, pasi që autoritetet nuk i kanë zbardhur hollësitë dhe të dhënat mbi rastin.
Incidenti ka ndodhur në platformën e stacionit të metrosë që është pjesë e Qendrës Transitore të Pentagonit dhe që ndodhet vetëm pak hapa larg ndërtesës së Pentagonit në Arlington County të Virginias, përballë lumit Potomac në Washington DC.
Një gazetar i agjencisë AP, që ndodhej afër ndërtesës, ka raportuar të ketë dëgjuar të shtëna të shumëfishta, të cilat më pas ndaluan, për të vazhduar me shkrepjen e një të fundit. Një tjetër gazetar i AP-së ka dëgjuar policët tek bërtasin “sulmues”.
Në një njoftim të lëshuar nga Pentagoni është bërë e ditur se godina është mbyllur përkohësisht shkaku i “aktivitetit policor”. Agjencia përgjegjëse për sigurinë në Pentagon më vonë ka njoftuar se skena e incidentit është e sigurt dhe se masa e mbylljes është shfuqizuar.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe gjenerali Amrk Milley, shef i Stafit të Përbashkët të Shefave, ishin në një takim të Shtëpisë së Bardhë me presidentin Joe Biden, në kohën e të shtënave.
Më 2010, dy oficerë të Agjencisë së Forcës së Mbrojtjes në Pentagon ishin lënduar, kur një person i armatosur iu afrua në zonën e kontrollit të sigurisë. Oficerët, të cilët i mbijetuan sulmit, iu kundërpërgjigjën të shtënave, duke e lënduar rëndë sulmuesin e identifikuar si John Patrick Bedell.