Një tërmet i fuqishëm prej 7.4 shkallësh të Rihterit i ka goditur Ishujt Kermadek, të cilët ndodhen në Oqeanin Paqësor, në veri të Zelandës së Re. Autoritetet e kanë ngritur alarmin për cunami.
Sipas Institutit Amerikan për Gjeologji, tërmeti kishte fuqi prej 7.4 shkallësh dhe epiqendrën e kishte rreth 800 kilometra në veri të Zelandës së Re, shkruan “Independent”.
Agjencia njoftoi se tërmeti u regjistrua 872 kilometra në verilindje të Ngungurus, qytezë me 1400 banorë. Kjo ndodhi rreth orës 11 të së dielës sipas kohës lokale.
Autoritetet nuk kanë raportuar ende për pasoja në njerëz ose dëme materiale.
Ministri për Mbrojtje Civile e Zelandës së Re dhe Instituti për Menaxhimin e Emergjencave njoftuan se ky shtet nuk rrezikohet nga cunami për shkak të tërmetit në oqean.