Sonte ka filluar edicioni i 20-të i festivalit të filmit Dokufest në Prizren ku në ceremoninë hapëse po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendesën e tij Donika Gërvalla dhe ministrin Arben Vitia. Gjithashtu prezente është edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga derisa këta mysafirë i mirëpriti kryetari Mytaher Haskuka.
Ky i fundit ka thënë se si komunë do t’i japë mbështetje të pakursyer festivalit që tashmë çdo vit mbledh filmdashësit nga të gjitha anët, njofton Klan Kosova.
“Fryma të cilën e sjell ky festival në Prizren, është e papërshkrueshme. Dhjetëra mijëra vizitorë nga e gjithë bota, dokumentarë, filma, debate, masterclass’e e performanca muzikore. Këto do të mbizotërojnë në Prizren nga sot, e deri më 14 gusht! Falënderoj gjithë organizatorët e Dokufest-it, të cilët e kanë vendosur Prizrenin në hartën kulturore të rajonit, por edhe të Evropës, duke bërë kështu një promovim shumë të çmueshëm për Prizrenin, por edhe për Kosovën. Si Komunë e Prizrenit do të jemi mbështetës të pakursyer të këtij festivali”, ka shkruar Haskuka.
Derisa për Edicionin Special ka folur drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, i cili tregoi për përmbajtjen e Dokufestit në ditët në vazhdim.
“Janë 240 filma me një mori programesh përcjellëse si ligjërata, panele, punëtori dhe me performanca muzikore. Do të ketë mjaft shumë shfaqje të filmave nga e gjithë bota. Gjithashtu, do të jenë tetë kategori garuese në fund të festivalit.
Ai tregoi se do të shfaqen filmat “Pa vend” i Samir Krahodës, “Go, go Kosova”, një film për aktorin Bajrush Mjaku bashkë me shumë të tjerë nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe po ashtu një numër i madh filmave ndërkombëtarë.