Sipas një burimi të afërt me organet e drejtësisë, Murtaja Qureiris, 18-vjeçari që përballej me dënimin me vdekje në Arabi Saudite, i ka shpëtuar ndëshkimit më të rëndë dhe është dënuar me 12 vjet burgim.
Qureirisit do t’i llogaritet si kryerje e dënimit edhe koha e kaluar në paraburgim nga viti 2014.
Përndryshe, katër vjetët e fundit të dënimit do të jenë dënim me kusht, që do të thotë se ai do të qëndrojë në burg vetëm tri vjet, shkruan “CNN”.
Një zyrtar saudit, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë “Reuters”, i konfirmoi vitet e dënimit për djaloshin.
Presioni ndërkombëtar ndaj Arabisë Saudite për këtë rast është rritur pas raportimit të televizionit “CNN”. Në Austri, kuvendi i këtij shteti votoi për mbylljen e një qendre saudite në shenjë proteste për arrestimin e adoleshentit saudit.
Qureiris ishte vetëm 10-vjeçar kur i kishte kryer krimet e supozuara sipas akuzës së ngritur nga autoritetet. Ai është akuzuar për sulm me koktej molotovi në një stacion policor.
Në prill të këtij viti, Arabia Saudite njoftoi se i ka ekzekutuar 37 burra, shumica prej të cilëve ishin myslimanë shiitë. Së paktu tre persona ishin të mitur në kohën kur ishin arrestuar.