Fjalë Kyçe

Shtetet e Bashkuara përfundojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani, aeroplanët e fundit u ngritën në ajër një minutë para mesnate në Kabul

Shtetet e Bashkuara përfundojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani, aeroplanët e fundit u ngritën në ajër një minutë para mesnate në Kabul

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani pak orë më parë, duke i dhënë kështu fund luftës më të gjatë amerikane dhe duke mbyllur këtë kapitull në historinë ushtarake.

Megjithatë kjo tërheqje që ka filluar prej më shumë se dy javësh, i ka kushtuar me jetë mbi 180 afganëve dhe 13 personave tjerë që i shërbyen Shteteve të Bashkuara për 20 vite, transmeton Telegrafi.

Vetëm pak orë pasi presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi për afatin e tërheqjes së trupave, aeroplanët e forcave ajrore amerikane kanë tërhequr nga ky vend kontingjentin e fundit të trupave nga aeroporti i Kabulit.

Mijëra trupa që i kaluan dy javët e fundit duke mbrojtur dhe rrezikuar çdo ngritje dhe ulje të aeroplanëve që transportonin civilë, staf diplomatik e ushtarë, pak orë më parë janë tërhequr përfundimisht nga ky vend që tani kontrollohet nga talebanët.

Në njoftimin për tërheqjen dhe evakuimin, gjenerali amerikan Frank McKenzie ka thënë se aeroplanët e fundit janë ngritur në ajër nga aeroporti i Kabulit rreth orës 15:29 sipas kohës në Washington, apo vetëm një minutë para mesnatës në Kabul.

Ky aeroport ishte bërë një ishull që kontrollohej nga ushtria amerikane, dhe ishte pjesa e fundit pas 20 viteve nga e cila u tërhoqën trupat ushtarake amerikane.