Fjalë Kyçe

Gjermania i kërkon Iranit të rifillojë bisedimet për programin bërthamor

Gjermania i kërkon Iranit të rifillojë bisedimet për programin bërthamor

Gjermania i bëri thirrje Iranit që t’i rifillojë bisedimet bërthamore me gjashtë fuqitë botërore sa më shpejt që është e mundshme për ta ringjallur marrëveshjen e vitit 2015, tha Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

“Ne i kërkojmë fuqishëm Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve në mënyrë konstruktive sa më shpejt që është e mundshme. Ne jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë, por korniza kohore nuk do të jetë e hapur pafundësisht”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.

Rundi i gjashtë i bisedimeve të tërthorta mes Teheranit dhe Uashingtonit u ndërpre dy ditë pasi Ebrahim Raisi u zgjodh president i Iranit. Ai e mori formalisht pushtetin më 5 gusht, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Që nga prilli, Irani dhe gjashtë fuqitë botërore janë munduar që të gjejnë një zgjidhje për atë se si Teherani dhe Uashingtoni mund të kthehen te respektimi i marrëveshjes bërthamore, nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2018 dhe kthyen në fuqi sanksione të ashpra kundër Iranit.

Si kundërpërgjigje ndaj veprimit të ShBA-së, Irani filloi t’i shkelte kufijtë e pasurimit të uraniumit të përcaktuar në marrëveshje.

Muajin e kaluar, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe shprehën shqetësim serioz rreth raporteve nga vëzhguesi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, i cili vërtetoi se Irani për herë të parë ka prodhuar metal uraniumi me pastërti deri në 20 për qind dhe se e ka rritur kapacitetin e prodhimit të uraniumit të pastër deri në 60 për qind. Sidoqoftë, Irani ka mohuar se ka për qëllim që të zhvillojë armë bërthamore.