Pfizer ka paraqitur studimet në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave mbi efektivitetin e vaksinës së saj kundër COVID-19 tek fëmijët, por dozat nuk mund të jenë të disponueshme deri në nëntor.
Kompania tha se u dha rregullatorëve shëndetësorë të dhëna nga një studim i fundit i vaksinës së saj tek fëmijët 5 deri në 11 vjeç. Zyrtarët kishin thënë më parë se do të paraqisnin një kërkesë në FDA për të autorizuar përdorimin në javët e ardhshme, duke bërë që ekspertët e shëndetit publik dhe prindërit të presin që dozat të bëhen të disponueshme deri në fund të tetorit.
Por në vend të kësaj, procesi mund të zgjasë më shumë se që u mendua. Megjithatë është e mundur që, varësisht nga sa shpejt FDA-ja ofron miratimin, dozat mund të bëhen të disponueshme në nëntor, tha një burim, raporton AP.
Prodhuesi i ilaçeve dhe partneri i tij, BioNTech i Gjermanisë, thonë se ata po presin që të kërkojnë autorizimin e përdorimit urgjent të vaksinës së tyre tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç “në javët e ardhshme”.
Vaksina Pfizer me dy doza është aktualisht në dispozicion për fëmijët 12-vjeç e lart. Rreth 100 milionë njerëz në SHBA janë vaksinuar plotësisht me të, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.