Në 50 shtetet amerikane, dhjetëra mijëra njerëz kanë mbajtur tubime në mbështetje të të drejtës së abortit.
Protestat janë nxitur edhe nga një ligj i ri në Teksas që kufizon ashpër abortin. Në të gjithë vendin ka shqetësime se të drejtat kushtetuese për abortin mund të anulohen.
Kjo, pasi në muajt e ardhshëm, Gjykata Supreme do të shqyrtojë këtë çështje dhe qytetarët janë të shqetësuar se ajo mund të përmbysë vendimin e vitit 1973 të përmes së cili u legalizua aborti në të gjithë vendin.
Në Uashington, demonstruesit marshuan drejt ndërtesës së Gjykatës Supreme, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Bëje abortin të ligjshëm”.
Fillimi i tubimit u ndërpre pasi në të njëjtën kohë ishin tubuar edhe përkrahësit e ndalimit të abortit.
“Gjaku i foshnjave të pafajshme është në duart tuaja!” bërtiti një burrë, raportoi gazeta Washington Post.
Një grua, e cila mori pjesë në një marsh tha se kishte dalë në tubim për të mbështetur të drejtën e gruas për të zgjedhur.
“Për fat të mirë unë kurrë nuk jam përballur me atë zgjedhje. Ka shumë gra që janë përballur. Qeveria jonë dhe burrat nuk kanë asnjë të drejtë të fjalës kur bëhet fjalë për trupin tonë”, tha Robin Horn për agjencinë e lajmeve Reuters.
Tubimet u organizuan nga lëvizja “Marshimi i Grave” që kishte organizuar protesta një ditë pas inaugurimit të ish -Presidentit Donald Trump më 2017.
“Ky është një lloj momenti i plasaritjes për njerëzit në të gjithë vendin”, tha Rachel O’Leary Carmona, drejtore ekzekutive e Marshit të Grave.
“Shumë prej nesh u rritën me idenë se aborti do të ishte i ligjshëm dhe i arritshëm për të gjithë ne”, shtoi ajo.
“Ishte një moment zgjimi kur e pamë se një e drejt e tillë ishte në rrezik”, shtoi ajo.
Në shtetin e Nju Jorkut, Guvernatorja Kathy Hochul foli në dy mitingje.
“Jam sëmurë dhe lodhur nga nevoja për të luftuar për të drejtat e abortit”, tha ajo.
Një protestë tjetër u mbajt në Austin të Teksasit, ku organi legjislativ i shtetit më 1 shtator miratoi një ligj që ndalon ndërprerjet e shtatzënisë pas zbulimit të asaj që fushatat kundër abortit e quajnë rrahje zemre të fetusit – një pikë kur shumë gra nuk e dinë që janë shtatzënë.
I ashtuquajturi Akti i Rrahjeve të Zemrës gjithashtu i jep çdo individi të drejtë të padisë mjekët që kryejnë një abort pas periudhës gjashtë javore. Mbështetësit thonë se qëllimi i tij është të mbrojë të palindurit.
Politikanët në disa shtete të tjera të dominuara nga republikanët po shqyrtojnë kufizime të ngjashme.
Grupet e të drejtave i kërkuan Gjykatës Supreme të bllokojë ligjin e Teksasit, por gjyqtarët vendosën 5-4 kundër bllokimit të këtij ligji.
Më 1 dhjetor, gjykata do të shyqrtojë rastin e ndalimit të Misisipit mbi abortin.
Aktgjykimi mund të ndryshojë vendimin historik të gjykatës Roe v Wade të vitit 1973, i cili mbron të drejtën e një gruaje për abort deri në fillim të tremujorit të tretë, 28 javë në një shtatzëni./rel