Talibanët njoftuan se kanë shkatërruar një celulë të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) përmes një operacioni të kryer vetëm disa orë pas shpërthimit vdekjeprurës afër një xhamie në Kabul.
Njoftimin e bëri zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, përmes një postimi në rrjetin social Twitter. Ai shkroi se të gjithë anëtarët e celulës së IS-it janë vrarë. Operacioni është zhvilluar nga një njësit special i forcave të talibanëve.
Sulmi afër xhamisë në Kabul ishte ndër më të rëndit që kur talibanët morën nën kontroll Afganistanin.
Menjëherë pas sulmit askush nuk e mori përgjegjësinë, por Mujahid i tha Radios Evropa e Lirë më 3 tetor se bazuar në hetimet fillestare në sulm janë përfshirë militantët e lidhur me IS-in.
Në Afganistan, grupi Shteti Islamik vepron si Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (IS-K). Ky grup është një armik i talibanëve.
Sulmet e militantëve janë shtuar që kur talibanët morën nën kontroll vendin.
Sulmi në xhaminë në Kabul ndodhi gjatë një ceremonie lutjeje për vdekjen e nënës së zëdhënësit të talibanëve, , Zabihullah Mujahid.
Sayed Khosty, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga talibanët, i tha Radios Evropa e Lirë se dy persona u vranë dhe dy u plagosën. Ai shtoi se tre persona ishin arrestuar në lidhje me sulmin.
Militantët e IS-K kanë pretenduar disa sulme kundër talibanëve, përfshirë disa vrasje në kryeqytetin, Xhalalabad.
Talibanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe kanë luftuar mes vete edhe para se talibanët të merrnin kontrollin e Afganistanit në gusht, teksa trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga vendi.
Shumica e analistëve, si dhe Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se IS-K ka më pak se 2,000 luftëtarë, krahasuar me 100,000 sa kanë në dispozicion talibanët./rel