Fjalë Kyçe

Blinken përkujton gazetaren e vrarë ruse: Qëndrojmë me gazetarët e pavarur rusë sot e përditë

Blinken përkujton gazetaren e vrarë ruse: Qëndrojmë me gazetarët e pavarur rusë sot e përditë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka përkujtuar gazetaren ruse, njëherazi mbrojtësen e të drejtave të njeriut, Anna Politkovskaya, në 15-vjetorin e vrasjes, duke kërkuar që personat e përfshirë në këtë rast të mbahen përgjegjës.

“Sot bëhen 15 vjet nga koha kur gazetarja dhe mbrojtësja e të drejtave të njeriut, Anna Politkovskaya, u vra në Moskë për punën e saj të guximshme për t’i sjellë në dritë abuzimet e të drejtave të njeriut në konfliktin në Çeçeni dhe për t’u dhënë zë viktimave të këtij konflikti”, thuhet në deklaratën e kryediplomatit amerikan.

“Ne përsëri bëjmë thirrje që të gjithë të përfshirët në vrasjen e saj të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Mosndëshkimi i vazhduar i atyre që e urdhëruan vrasjen e Politkovskaya-s i minon lirinë e të shprehurit, lirinë e shtypit dhe të drejtat më të gjera të njeriut në Rusi”, thuhet më tej.

“Përderisa e përkujtojmë trashëgiminë e Politkovskaya-s, ne i njohim guximin dhe këmbënguljen e gazetarëve të pavarur rusë – shumë prej tyre padrejtësisht të etiketuar si “agjentë të huaj” – që sot punojnë përballë agresionit. Ne qëndrojmë me ta sot e përditë”, përmbyllet deklarata e sekretarit Blinken përcjell Gazeta Express

Kush ishte Anna Politkovskaya?

Anna Stepanovna Politkovskaya, përpos gazetare dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, ishte edhe shkrimtare. Ajo ishte e njohur për raportimin e ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë të Çeçenisë. Më 2001, ajo është shpërblyer me Çmimin Global për Gazetari për të Drejtat e Njeriut, që ndahet nga organizata e njohur ndërkombëtare, “Amnesty International”.

Politkovskaya nuk kishte hequr dorë nga raportimi për luftën në Çeçeni, pavarësisht kërcënimeve dhe dhunës. Ajo ishte arrestuar nga forcat ushtarake ruse. Në vitin 2004, ajo ishte helmuar përderisa po udhëtonte me aeroplan. U vra më 7 tetor 2006 në Moskë.