Fjalë Kyçe

Presidenti çek dërgohet në spital pas takimit me kryeministrin

Presidenti çek dërgohet në spital pas takimit me kryeministrin

Presidenti i Republikës Çeke, Milosh Zeman është dërguar me ambulancë në një spital në Pragë, teksa janë rritur spekulimet rreth shëndetit të tij.

Drejtori i Spitalit Qendror Ushtarak të Pragës, Mirosllav Zavoral, tha për gazetarët më 10 tetor se diagnoza e Zemanit nuk do të bëhet publike për opinionin.

Një zëdhënës i presidencës, tha se gruaja e Zemanit, Ivana dhe vajza e tyre, Katerina, janë në spital me të.

Në shtator, Zeman, 77 vjeç, qëndroi për tetë ditë në spital, ndonëse nuk u bën të ditura për publik informacionet lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Më herët gjatë 10 tetorit, Zeman u takua me kryeministrin, Andrej Babis në rezidencën e tij jashtë kryeqytetit çek, për të diskutuar për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në ditë më parë.

Zeman votoi nga shtëpia e tij për zgjedhjet parlamentare për shkak të gjendjes së dobët shëndetësore. Mediat çeke kanë spekuluar se ai vuan nga një sëmundje e rëndë e mëlçisë. Zeman, që është konsumues i duhanit, vuan nga diabeti dhe në javët e fundit ka përdorur karrocë për të lëvizur.

Sipas rezultateve zgjedhore, partia e multimiliarderit Babis, partia populiste ANO ka fituar 27.1 për qind të votave dhe pritet të ketë 72 ulëse në Dhomën e Deputetëve prej 200 ulësesh.

Ndërkaq, koalicioni prej tri partish, SPOLU ka fituar 27.8 për qind të votave, ndërkaq koalicioni ndërmjet Partisë së Piratëve dhe Partisë së Kryetarëve ka fituar 15.6 për qind të votave.

Partitë opozitare kanë politika që janë më në linjë me shtetet kryesore të Bashkimit Evropian sesa partia e Babisit, që konsiderohet euroskeptik./rel