Kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania ende mban përgjegjësi për Izraelin ndërsa foli me kryeministrin Naphtali Bennett gjatë vizitës së saj të fundit zyrtar atje.
“Holokausti është, natyrisht, një ngjarje unike për të cilën ne vazhdojmë të mbajmë përgjegjësi. Në çdo fazë të së kaluarës dhe të së ardhmes”, u tha Merkel gazetarëve të dielën.
Bennett, në anën tjetër, tha se Merkel, e cila do të tërhiqet nga politika pasi të përfundojnë bisedimet për koalicionin e ri qeveritar në Gjermani pas zgjedhjeve të shtatorit, është “busulla morale e të gjithë kontinentit evropian”.
Ai vlerësoi rolin e politikanes 67-vjeçare në konsolidimin e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve bazuar në “plagën e thellë historike” të shkaktuar nga Gjermania naziste ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.
Merkel u takua gjithashtu me qeverinë izraelite.
Koalicioni qeverisës përbëhet nga gjithsej tetë parti të djathta dhe të majta të spektrit, dhe për herë të parë përfshin një parti arabe. Konservatori i krahut të djathtë, Benjamin Netanyahu u largua nga posti i kryeministrit në qershor pasi ishte në pushtet që nga viti 2008.
Kancelarja gjithashtu planifikon të zhvillojë bisedime me presidentin Isaac Herzog dhe ministrin e Jashtëm, Yair Lapid për herë të parë që kur qeveria dhe presidenti filluan mandatet e tyre në qershor dhe korrik.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë në programin bërthamor të Iranit, çështjen e pavarësisë së shtetit palestinez dhe çështjet bilaterale, mes shumë temave të tjera.
Angela Merkel planifikoi një vizitë në Izrael në fund të gushtit, por ajo u shty për shkak të zhvillimit dramatik të situatës në Afganistan.
Kancelarja, në prani të Bennett planifikon të vendosë një kurorë në Qendrën Përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem.
Në ceremoninë e dytë, Merkel do të marrë një doktoratë nderi nga Instituti Izraelit i Teknologjisë, Technion në Haifa në Izraelin verior. Merkel dhe Bennett më pas do të takohen së bashku me përfaqësuesit e kompanisë.
Kancelarja do të udhëtojë për në Gjermani të hënën./AlsatM