Fjalë Kyçe

Shqipëria po përjeton tensione politike nga veriu në jug

Shqipëria po përjeton tensione politike nga veriu në jug

Shqipëria po përjeton tensione politike nga veriu në jug ndërsa zgjedhjet vendore të 30 qershorit po afrohen në kushtet kur presidenti ka deklaruar anulimin e tyre ndërsa qeveria kërkon të votohet me çdo kusht më 30 qershor.

Prej rreth 48 orësh në të gjitha bashkitë ku qeverisë opozita në Shqipëri ka pasur tensione e në disa raste përleshje mes policisë bashkiake e asaj të rëndit për shkak KZAZ-ve, raporton Koha Ditore.

Bashkitë e djathta kërkojnë lirimin e ambienteve që administrohen prej tyre në zbatim të dekretit të Presidentit, nga ana tjetër policia mbron këto ambiente me urdhër nga qeveria.

Ndërkohë që mazhoranca ka bërë gati ligjin për ashpërsim të kodit penal për krimet zgjedhore, i cili pritet të miratohet në seancën e nesërme parlamentare.

Sipas nismës së miratuar nga komisioni, të gjithë personat që do të kryejnë krime zgjedhore, duke cenuar zgjedhjet dhe sistemin demokratik, nuk do të shkelin dot jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vite.

Ndërkohë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sander Lleshaj situatën që po ndodh para KZAZ-ve në bashkitë që drejtohen nga opozita e cilësoi si “një moment kritik në betejën e ligjit me antiligjin, shtetin me antishtetin, shoqërisë me një grup paramilitar”.

Lleshaj deklaroi se do të ndëshkohen të gjithë, ndërsa paralajmëroi dhe shkrirjen e strukturave të policive bashkiake të këtyre bashkive.

Në një prononcim për median në orën 14:30, Lleshaj deklaroi se, “procesi zgjedhor po sulmohet dhe provokohet në mënyrë të organizuar dhe policia do të përgjigjet propocionalisht dhe me vendosmëri deri në fund”.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Ai e cilëson gjithçka të parashikuar, duke e quajtur aksionin e opozitës nëpër KZAZ, “revolucion imagjinar me punonjësit e bashkive blu”.

Kreu i mazhorancës ka një pyetje për mbështetësit e opozitës.

“Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar! Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu. I pyes: A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD-LSI në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero!”, shkruan Rama në Twitter.

Ngjarjet nga veriu në jug

Ora 15:14: Partia Demokratike e Shkodrës kërkoi të mërkurën lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve nga policia pas protestës së zhvilluar tek KZAZ 3 në shkollën “Shejnaze Juka”.

Pesë personat, përfshi dy punonjës të policisë bashkiake, janë arrestuar me akuza të dëmtimit të pronës. Ata akuzohet se i vunë zjarrin një klase të gjimnazit ku ndodheshin materialet e KZAZ për zgjedhjet. Në një deklaratë për media kryetari i PD Shkodër, Xhevdet Amuli tha se në rast se nuk bëhet lirimi i 5 të arrestuarve atëherë qindra mijëra qytetarë do të zbarkojnë në dyert e policisë vendore të Shkodrës për të protestuar.

Ish-deputetët dhe kreu i PD Shkodër zhvilluan një takim me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës Niko Nrahimaj lidhur me 5 të arrestuarit pas protestës tek KZAZ 3 mbrëmë. Sipas përfaqësuesve të opozitës policia nuk do bëjë asnjë hap pas për lirimin e të arrestuarve.

Sipas tyre nuk ka urdhër ndalimi për ish-deputetin Bardh Spahia për të cilin u tha se është shpallur në kërkim. Takimi zgjati për 1 orë e 30 minuta por nuk u gjet një zgjidhje e përbashkët.

Ora 14:50: Përplasjet kanë qenë veçanërisht të dhunshme në qytetin e Burrelit në bashkinë Mat ku disa persona janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë.

Ora 14:48: Në qytetin e Klosit protestuesit kanë djegur materialet zgjedhore në KZAZ ndërsa policia duket se nuk ka bërë rezistencë.

Ora:13:45: Protestuesit në Kukës vijojnë përpjekjen për të hyrë me forcë në KZAZ. Ata dogjën disa goma dhe synuan të thyenin kordonin e policisë dhe të hynin brenda mjediseve. Policia përdori gazin lotsjellës për t’i shpërndarë, por situata vijoi e tensionuar. Policia ndërkohë hoqi nga godina materialet zgjedhore.

Ora 13:22: Pas disa përplasjeve me policinë protestuesit e opozitës në Berat janë shpërndarë, pasi kanë hedhur disa shashka ndaj policisë.

Ora 13:15 Situatë e tensionuar është regjistruar edhe në KZAZ 67 në Pogradec dhe në KZAZ 70 në Devoll.

Përfaqësues të 2 bashkive të djathta dhe militantë të PD dhe LSI pas ultimatumit për lirimin e ambienteve kanë tentuar të hyjnë brenda KZAZ por janë ndaluar nga policia. Rreth orës 11.00 në të dy këto qendra janë shënuar momente të tensionuara por nuk ka pasur incidente.

Në Pogradec përballë policisë së shtetit u vendos policia bashkiake ndërsa ish deputeti demokrat Klevis Balliu hodhi akuza se përpjekja për të mbajtur KZAZ në të njëjtin ambient ndërkohë që presidenti ka ç’dekretuar datën e zgjedhjeve është një grusht shteti. Përfaqësuesit e Bashkisë Pogradec lanë afat deri nesër për lirimin e ambientit që ndodhet tek teatri i kukullave.

Në Devoll protestuesit pas tentativës për të hyrë në KZAZ hodhën bidona uji në drejtim të qendrës dhe më pas u shpërndanë me qetësi.

Ora 12:22: Përplasje të dhunshme për kontrollin e KZAZ-ve po zhvillohen aktualisht në shumë qytete nga veriu në jug. Qytetet ku janë shënuar tensione deri tani janë: Bajram Curri, Shkodër, Burrel, Kamëz, Kavajë, Berat, Skrapar, Pogradec dhe Gjirokastër.