Pesë persona kanë vdekur dhe dy janë lënduar, pasi një person duke përdorur harkun dhe shigjetat ka sulmuar ata.
Policia së pari ka marrë informata për sulmin në qytetin Kongsberg, në jug-perëndim të Oslos, rreth orës 18:13 me kohë lokale.
Shefi i Policisë, Oyevind Aas, ka thënë se i dyshuari është kapur dhe duket se ka vepruar i vetëm.
Policia do të hetojë nëse ishte akt terrorist, ka thënë zëdhënësi.
“Është një tragjedi për të gjithë të prekurit. Nuk kam fjalë”, ka thënë majori Kari Anne Sand.
Sulmuesi thuhet se ka nisur sulmin brenda supermarketit Coop Extra në anën perëndimore të Kongsbergut. Një nga të lënduarit ishte polic jashtë detyrës, që ishte në shitore në atë kohë.
Zëdhënësi i shitores ka konfirmuar më vonë se ka pasur incident serioz, duke thënë se asnjë nga stafi nuk është lënduar.
Ka pasur raportim për konfrontim mes sulmuesit dhe policëve, para seë ai të arrestohej rreth orës 18:47 me kohë lokale.
Policët po ashtu po hetojnë nëse sulmuesi ka përdorur armë tjera gjatë sulmit, ka thënë shefi Aas.
Sulmuesi kishte ikur fillimisht, por autoritetet rrethuan disa pjesë të qytetit. Banorët u urdhëruan të qëndrojnë brenda, në mënyrë që autoritetet të ekzaminonin skenën dhe të mblidhnin dëshmitë. I dyshuari është marrë në stacion të policisë në Drammen për t’u marrë në pyetje.
Dhjetra vetura të ambulancës kanë qenë në skenë, ndërsa janë parë edhe veturat e policisë dhe helikopterët.
Ministri i Brendshëm i Norvegjisë, Monica Maeland, është informuar për situatën. Drejtorati i Policisë ka urdhëruar gjithë policët që të mbajnë armë zjarri. Zakonisht policia në Norvegji nuk është e armatosur.
“Policia ka indikacione se ka ndryshim të rrezikshmërisë në nivel vendi”, thuhet në komunikatë.