Vepra më e fundit e artistit Sislej Xhafa ka tërhequr vëmendjen e kritikës. Fotoja e një 80-të vjeçari kubanez, në derën e një dyqani të improvizuar brenda hapësirës së Panairit të madh të artit në Basel, shoqëron pothuajse të gjitha shkrimet për këtë ngjarje të rëndësishme të artit pamor.
Emri i tij është Raúl Postillo Zamá. New York Times, e fokuson portretin e burrit të moshuar nga Havana që mban në duar një cigare. “Ovid Solitude” quhet puna me të cilën artisti prezantohet në Basel, në kuadër te ekspozitës UNLIMITED. Në qendër është një i moshuar nga Kuba i cili duket se ka marrë me vete në këtë event, dyqanin e tij ku çdo ditë shet vezë.
Kjo metaforë e artistit shqiptar është provokimi më i bukur në këto kohë të trazuara të ekonomisë dhe politikës. Për të qënë në Bazel shitësit të vezës i është dashur të marrë vizë. I gjithë ky proces është shoqëruar me një sërë dokumentesh të cilat ai i ka marrë me vete.
“Projekti fokusohet në çështjet e ndarjeve, mureve, kufijve”, shprehet Lorenzo Fiaschi drejtor i Galleria Continua e cila edhe e përfaqëson Xhafën si artist…
UNLIMITED vizitohet çdo vit 95 mijë njerëz nga mbarë bota, pasi ofron artistët më në zë të momentit dhe punët e tyre provokuese. Xhafa është i njohur për provokimet artistike, duke e parë gjithnjë artin si një komunikim me mediume më të mëdha sidomos politike.
Shitësi i vezëve nga Kuba, është ndoshta gjetja më interesante këtë vit në Bazel, duke mbartur dhe qëllimin e artit, nevojën për reflektim.