Fjalë Kyçe

Kryediplomati kroat paralajmëron përgjigje nga BE-ja: Situata në Ballkan po përkeqësohet

Kryediplomati kroat paralajmëron përgjigje nga BE-ja: Situata në Ballkan po përkeqësohet

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić Radman vlerëson se situata në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet dhe njofton për një “përgjigje të detajuar” nga BE-ja për këtë.

“Incidentet e fundit në Malin e Zi dhe në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë janë shkak për shqetësim serioz. Situata në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet”, tha Grlić Radman transmeton Express.

Ai theksoi se situata po përkeqësohet edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ku në vend që të arrihej një konsensus mbi reformën zgjedhore, pati një “përshkallëzim në skenën e brendshme politike dhe paralizë të institucioneve”.

Duke ardhur në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE -së, kreu i diplomacisë kroate njoftoi se Këshilli duhet të japë një “përgjigje të detajuar” për situatën në Ballkanin Perëndimor deri në takimin e ardhshëm në nëntor.

Në takimin e sotëm të Këshillit të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borrell do t’i informojë ministrat mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të miratojnë përfundimet në një takim në Luksemburg sot mbi BeH dhe Operacionin Altea të BE-së, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.