Kryeshefi i Sekretaritatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka folur për vendvotimin në Fushë-Kosovë numër 0906E/01D, i cili në mbledhjen e kaluar të KQZ-së është vendosur të shkojë në rinumërim për shkak se nuk ka mundur të procedohet si i rregullt.
Sipas KQZ-së, Policia e Kosovës, në ditën e zgjedhjeve kishte konfiskuar 22 fletëvotime të dëmtuara nga ky vendvotim.
“Sekretariati ka bërë hetim dhe pastaj rinumërim. E këtij vendvotimin. Ekipi i hetimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka analizuar fletëvotimet. Së pari ka shikuar vlefshmërinë e tyre, a i takojnë atij vendvotimi. Nga vlerësimi vërtetohet se fletëvotimet janë te vulosura, mbajnë numrat serik të atij vendvotimi. Nuk është cenuar integriteti i fletëvotimeve. 22 fletëvotime gjatë dirës janë dëmtuar dhe janë futur në zarfin 1. Numri i fletëvotimeve të hedhura në kuti është i njëjtë me numrin e nënshkrimeve”, ka thënë Ahmetaj.
Sipas tij nga rinumërimi është gjetur se në këtë vendvotim, një fletëvotim që i takon subjektit nr 160 ështe numëruar si votë për subjektin 144.
Ahmetaj ka thënë se për shkak te tejkalimit të tolerancës, rezulton se fletëvotimet e dëmtuara nuk kanë cenuar votat e hedhura, dhe rekomandimi është që të rritet niveli i tolerancës.
Alim Rama, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ ka thënë se ky vendvotim është dëmtuar aq shumë sa nuk duhet të kalojë.
“Pres një hetim të Prokurorit. Mendoj që këtu ka ndodhë diçka shumë e madhe sesa që e kemi në raportin e sekretariatit. Pse është hapur kutia pa vendim të KQZ-së. Në mbledhjen e fundit kemi kërkuar hetim. Ky vendvotim është aq i dëmtuar sa që nuk duhet te kalojë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Dushi, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në KQZ ka thënë se ky vendvotim është dërguar pa të drejtë në rinumërim.
“Është shumë me rëndësi me ditë qe hetimi përfshin edhe rinumërimin. Ju pa të drejtë, e keni quar në hetim. Ai i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu proceduar si i rregullt. Duke bërë kalkulime të votave të kandidatëve provojmë me dramatizu një situatë për një vendvotim i cili del se i plotëson kriteret. Kërkoj nga ky institucion që të shmanget nga çështjet politike.
Deklarat e Dushit ka nxitur reagimin e përfaqësuesit të VV-së, Sami Kurteshi i cili ka thënë se ka pas vjedhje industriale në këtë vendvotim nga PDK-ja e LDK-ja.
“Këtu ka pas përpjekje për vjedhje industriale, këtu PDK-ja dhe LDK-ja. Në një vendvotim në Fushë Kosovë, në Harilaq komisionarët e PDK-së dhe LDK-së kanë filluar me i vulos fletëvotimet e përdorura, dmth me vjedhë, me i vulos pa qenë njerëzit dhe kur iu është tërhequr vërejta, i kanë shqyer. Kemi përpjekje për vjedhje, nuk do të ngjajë më kjo. Ka marrë njerëz policia, ka arrestuar njerëz për shkak të shkeljes së kodit të zgjedhjeve, qe është vepër penale. KQZ-ja e sekretariati s’kanë të drejtë t’i tejkalojnë ato. Këtu kemi një vepër penale dhe deri te kryhet hetimi penal nuk mund të vazhdojë puna në një vendnumërim. Z.Kryeshef çka të flisni mos e tërhiqni të vërtetën pa e pru incizimin dhe procesverbalin. Nuk i besojmë sekretariatit dhe KQZ-së sepse ka bërë shkelje të renda më 14 shkurt.