Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të dielën se nëse vendet nuk përdorin mjetet ekzistuese në luftën kundër pandemisë në mënyrë efektive, fundi i saj nuk do të jetë i afërt.
“Pandemia do të përfundojë kur bota të zgjedhë t’i japë fund asaj,” tha Tedros duke folur në takimin e Lartë Botëror të Shëndetit, një forum global i mbajtur në Gjermani.
“Ne i kemi të gjitha mjetet që na duhen, por bota nuk i ka përdorur siç duhet ato,” tha zoti Tedros, duke iu drejtuar përfaqësuesve nga 100 vende që morën pjesë virtualisht.
Pengesat për përmbushjen e qëllimit të OBSH-së për të vaksinuar 40% të popullsisë të çdo vendi kundër koronavirusit kanë lidhje me “politikën dhe fitimet”, tha shefi i OBSH-së, “jo me prodhimin”.
“Vendet që kanë arritur tashmë objektivin prej 40%, përfshirë të gjitha vendet e G-20, duhet t’u lënë radhën për marrjen e vaksinave COVAX-it dhe Trustit Afrikan për Blerjen e Vaksinave,” tha zoti Tedros.
Zyrtari i OBSH-së u kërkoi gjithashtu prodhuesve të vaksinave që të bëhen “shumë më transparentë” lidhur me procesin e shpërndarjes së tyre.
Ai u kërkoi atyre “të ndajnë njohuritë, teknologjinë dhe liçencat dhe të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale”.
“Ne nuk po kërkojmë bamirësi,” tha Tedros, “ne po bëjmë thirrje për një investim të arsyeshëm në rimëkëmbjen globale.”
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, deri të hënën janë regjistruar 243.7 milionë infeksione dhe gati 5 milionë vdekje në botë nga COVID-i; dhe deri tani janë bërë pothuajse 7 miliardë vaksina./Voa