Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen këtë të enjte ka deklaruar se në vitin 2022 pritet që në BE të prodhohen 3.5 miliardë doza vaksina Anti-Covid, nga të cilat një pjesë e madhe do të shpërndahen në vendet e treta.
Von der Leyen këtë deklaratë e ka bërë pak para nisjes së Samitit G20 në Romë, ku janë diskutuar çështje të tilla si pandemia Covid-19, masat që duhet të merren për pandemi të reja, ekonominë e rimëkëmbjes globale dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Ndërkaq në lidhje me pandeminë Covid ajo ka theksuar se vendet e G20-tës pritet të angazhohen për qëllimin e vaksinimit të plotë të 70% të popullsisë së botës deri në mesin e vitit 2022.
“Është një objektiv ambicioz, por ne do ta mbështesim plotësisht”, ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se BE-ja ka eksportuar 1.2 miliardë doza të vaksinës Covid-19 në 150 vende në 11 muajt e fundit dhe ka shpërndarë rreth 800 milionë doza për qytetarët evropianë.
Drejtuesja e Komisionit Evropian ka theksuar se në vitin 2022 BE-ja dhe shtetet e saj anëtare janë zotuar të dhurojnë gjithsej 500 milionë doza vaksinash për vendet e treta.