Njëri prej mediumeve më serioze dhe më prestigjioze në botë, The Guardian, i ka dedikuar një artikull të veçantë artistit kosovar, Petrit Halilajt.
Në këtë artikull Halilaj ka rrëfyer për fëmijërinë etij në kohë lufte, kur trupat serbe e kishin përzënë familjen e tij nga fshati, përcjell Klan Kosova.
Më pas ai ka treguar për psikologun italian Giagomo “Angelo” Poli, i cili u kishte dhënë fëmijëve lapsa dhe letra për të vizatuar.
Halilaj më tutje tregoi për takimin me sekretarin e atëhershëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan-in, duke thënë se ishte rritur me të.
“Ai për mua ishte më i madh se Star Wars, andaj i thashë nënës: Nuk mund t’ia tregoj një vizatim të vogël A4”, ka thënë Halilaj për The Guardian.
Kështu, Halilaj e kishte rivizatuar një masakër në fshat, vizatim ky që më pas kishte bërë xhiron e botës, dhe të cilin Halilaj e gjeti dekada më vonë në Shqipëri.
Artikulli më pas flet për ecurinë e jetës së Halilajt i cili pas luftës fitoi bursë për një shkollë arti në Itali e që sot e ka sjellë në shoun e tij të parë personal në Mbretërinë e Bashkuar, gjegjësisht në Tate St. Ives.
Artikulli më pas përmes fotografish dhe përshkrimesh sjell disa prej krijimeve më të fuqishme të Halilajt.