Fjalë Kyçe

Rritja e shpenzimeve kapitale “dëmton” sektorin privat

Rritja e shpenzimeve kapitale “dëmton” sektorin privat

Miratimi i projektbuxhetit nga Qeveria e Kosovës për vitin 2022 ia ka zbehur shpresat për përkrahje më të madhe për sektorin privat Bashkim Osmanit, pronar i kompanisë prodhuese “Laberion” që merret me prodhimin e lëngjeve në Gjilan.

Ai thotë se ka pritur më shumë mbështetje financiare nga Qeveria e Kosovës, pas humbjeve financiare të shkaktuara në vitin 2019, për shkak të masave kufizuese në përpjekje të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19. Kurse, në projektbuxhet, vlera më e madhe paraqitet për shpenzime kapitale se sa për ringjallje ekonomike.

“Për sektorin privat është dashur të bëhet më shumë sepse te ne mund të humbë kontinuiteti, mund të humbin vendet e punës, humbet tregu -zëvendësohet me import. Kështu që, matematika prej këndit tim thotë se qeveria është dashur ta mbështesë sektorin privat sepse aq më shumë që zhvillohemi ne, zhvillohet vetë shteti”, vlerëson Osmani.

Osmani tregon se në vitin 2019 kompania kishte shënuar rënie të shitjes për mbi 20 për qind, kurse aktualisht është duke punuar sipas parashikimeve, porse humbjet e asaj kohe, shprehet ai, nuk mund të rikuperohen.

Edhe pse në Kosovë ende nuk ka të dhëna zyrtare për ndikimin e pandemisë në sektorin privat, nga përfaqësues të bizneseve vlerësohet se rreth një miliardë euro janë humbjet që shënuan bizneset gjatë pandemisë me COVID-19.

Qeveria e Kosovës në muajin korrik të këtij viti ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, e cila arrin vlerën 420 milionë eurove. Disa nga masat e kësaj pako, qoftë ato ekonomike apo sociale tashmë janë në zbatim e sipër.

Kurse, më 29 tetor qeveria ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2022, në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh. Nga kjo shumë, mbi 770 milionë euro janë ndarë për investime kapitale apo 157 milionë euro më shumë se në vitin 2021, ku vlera e investimeve kapitale ishte 613 milionë euro.

Krasniqi: Sektori privat ndikon në rritje ekonomike

Se orientimi i mjeteve të buxhetit është dashur të fokusohet në përkrahje të bizneseve private dhe jo në investime kapitale, e thonë edhe kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, dhe profesori i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Që të dy pajtohen se kapitali fizik është një nga faktorët themelorë për zhvillimin ekonomik dhe mbetet trashëgimi për gjeneratat e ardhshme, por koha në të cilën gjendet Kosova, marrë parasysh përballjen me pandeminë COVID-19, sipas tyre, është dashur të jetë arsye e reduktimit të vlerës së shpenzimeve kapitale për vitet tjera.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë se vlera më e madhe e investimeve nga buxheti do të duhej të ishte te sektori privat në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës. Investimet kapitale, thotë ai, është dashur të filtrohen për vitet tjera, sidomos në infrastrukturë dhe jo të rritet vlera e tyre.

“Ne besojmë se orientimi i kësaj shifre do të duhej të shkonte në drejtim të rritjes ekonomike që është mbështetje për biznese, të cilat kanë nevojë të investojnë, krijimin e ofertave në biznes, investim më shumë në zona ekonomike, hapësira për biznes investitorëve t’u jepet falas dhe kjo do të ndikojë në rritje ekonomike. Disa nga investimet kapitale, sidomos ato të infrastrukturës rrugore, është dashur të shtyhen për vitet tjera”, shprehet Krasniqi.

Ndërtim të autostradave, vazhdim dhe ndërtim të rrugëve, ndërtim të çerdheve, objekte shëndetësore, renovim dhe ndërtim të shkollave, rregullim të shtratit të lumenjve, kanalizimeve, hapësira gjelbëruese, programi i banimit social, janë vetëm disa nga shpenzimet kapitale që parashihen nga Qeveria e Kosovës për vitin tjetër, të vendosura në projektbuxhetin e vitit 2022.

Kosova, e vetmja në rajon që rrit shpenzimet kapitale

Në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të publikuar muajin e kaluar nga Banka Botërore, vërehet se Kosova është i vetmi vend në rajon që e ka rritur vlerën e shpenzimeve kapitale. Nga 5.3 për qind të Bruto Produktit Vendor sa ka qenë gjatë këtij viti, për vitin tjetër parashihet të rritet në 6.4 për qind.

Bruto Produkti Vendor (BPV) për vitin 2020 në Kosovë ishte 6.77 miliardë euro. BPV-ja për kokë banori në Kosovë është 3,772 euro, kurse në vendet e Bashkimit Evropian është 34,000 euro.

Kurse, shtetet tjera të rajonit nivelin e shpenzimeve kapitale e kanë zvogëluar deri në dy për qind të Bruto Produktit Vendor.

Edhe profesori i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, konsideron se rimëkëmbja e sektorit privat, krijimi i vendeve të reja të punës, pas pandemisë mund të sjellë rritje reale ekonomike, sepse, thotë ai, vetë buxheti i Kosovës sigurohet nga sektori privat. Mbi 25 për qind e popullatës në Kosovë janë të papunë.

“Para se të flitet për projekte kapitale të tilla, Qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh rimëkëmbjen ekonomike, ndihmën për sektorin privat, ndihmën ndaj qytetarëve në veçanti në këtë kohë të krizës globale, e cila e ka bërë jetën shumë të vështirë në krejt botën”, thotë Gërxhaliu.

Në projektbuxhetin e vitit 2022, në aspektin ekonomik, thuhet se rritja e punësimit është prioritet kyç i Qeverisë dhe për këtë janë planifikuar 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë dhe mbështetjen e bizneseve fillestare. Gjithashtu, mbi 70 milionë euro janë ndarë për bujqësi e 40 milionë euro për mbështetjen e prodhuesve vendorë.

Ndryshe, norma e rritjes ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti, sipas Bankës Botërore, ka arritur në 7.1 për qind si rezultat i ardhjes së vizitorëve nga diaspora, rritjes së konsumit, rritjes së nivelit të kredive dhe rritjes së eksportit. Por, kjo normë e rritjes ekonomike vitin 2022 pritet të stabilizohet në potencialin e saj në 4 për qind./rel