Të paktën 84 persona kanë vdekur dhe dhjetëra tjerë janë plagosur, si pasojë e një shpërthimi të madh në kryeqytetin e Sierra Leones, Fritaun.
Shpërthimi ka ndodhur pasi një cisternë nafte është përplasur me një tjetër makinë, në një rrugë me shumë qarkullim.
Pamjet e publikuara në mediat lokale kanë treguar trupat e shtrirë nëpër rrugë.
Presidenti, Julius Maada Bio, ka thënë se është “tejet i shqetësuar nga zjarret tragjike dhe humbjet e jetëve”.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se Qeveria do të bëjë “gjithçka që mundet për të mbështetur familjet e prekura”.
Kryetarja e kryeqytetit Fritaun, Yvonne Aki-Sawyerr, ka thënë se shkalla e dëmit nuk është ende e qartë.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, ajo ka thënë se ka “thashetheme që më shumë se 100 persona kanë vdekur”, ndonëse kjo shifër nuk është konfirmuar nga zyrtarët.
Në disa raportime është thënë se një autobus i mbushur me njerëz, është djegur plotësisht, derisa edhe dyqanet në afërsi janë përfshirë nga flakët.
Ky qytet, që ka më shumë se një milion banorë, është përballur me një mori katastrofash në vjetët e fundit.
Në muajin mars, më shumë se 80 persona janë plagosur, si pasojë e një zjarri në lagjet e varfra, që ka detyruar 5,000 persona të zhvendosen.
Më 2017, mbi 1,000 persona kanë vdekur nga rrëshqitjet e tokës, që janë nxitur prej shirave të rrëmbyeshëm.
Për pasojë, edhe 3,000 banorë tjerë kanë mbetur pa strehë.