Ministri i Jashtëm i Tuvalut, një shtet i formuar nga një grup ishujsh në Paqësor, mbajti një fjalim i zhytur në ujë deri në gjunjë, për të theksuar idenë që vendi i tij është në vijën e parë të luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Simon Kofe doli në një lidhje live nga vendi i tij për të folur në samitin e klimës në Glasgou, i veshur me kostum dhe kollare, por me këmbët të futura në ujë, për të nxjerrë në pah rritjen e nivelit të detit në vendin e tij.
“Kjo është situata reale me të cilën përballet Tuvalu për shkak të impaktit të ndryshimeve klimatike”, tha Kofe në videomesazhin e tij.
Gjatë samitit të klimës shumë shtete që konsiderohen edhe si ndotësit më të mëdhenj janë zotuar të ulin nivelet e emetimit të gazrave të dëmshëm deri në vitin 2050. Por udhëheqësit e vendeve të Paqësorit kanë kërkuar të merren masa edhe më drastike duke theksuar se nga kjo varet mbijetesa e shteteve të tyre.