Natën në mes të 12 dhe 13 nëntorit, autor të panjohur kanë vizatuar në disa lokacione në Beograd “Lulen e Srebrenicës” të shoqëruar me mbishkrimin “Kujto”. Këto vizatime janë parë në vendbanimet në Drocol, Vracar dhe Savski Venac, raporton “Danas”.
Gazetari i “Danas” ka arritur që të siguroj edhe njoftimin në të cilin thuhet “ Ne, qytetarët e Beogradit, kujtojmë 8372 viktima të gjenocidit në Srebrenicë. Ne hedhim poshtë me neveri politikën zyrtare shtetërore të glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të gjenocidit. I kërkojmë Presidentit të Republikës, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministres Ana Brnabiq, të njohin gjenocidin, të udhëheqin institucionet e republikës në drejtim të marrjes së përgjegjësisë dhe të përkulen para viktimave. Srebrenica nuk i ndodh më askujt! Vdekje fashizmit!”.
Lulja e Srebrenicës ose lulja “Memory” është një simbol jozyrtar i gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi në vitin 1995.Lulja është dizenjuar nga gratë e shoqatës “Gračaničko keranje” nga Graçanica dhe për herë të parë është prezantuar para publikut më 1 korrik 2011.
Ngjyra e bardhë e petaleve të luleve përfaqëson pafajësinë, vuajtjen, ngjyra e gjelbër në qendër të lules përfaqëson shpresën, ndërsa 11 petalet simbolizojnë 11 korrik 1995.
Këto vizatime vijnë pas ngjarjeve të ndodhura në muralin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, që u gjuajt me vezë dhe u ngjyros me të bardhë, derisa shteti serb i doli në mbrojtje një murali të tillë, duke vendosur barrikada të policisë./Express