Fjalë Kyçe

Vazhdon të mbetet mister motivi i vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit

Vazhdon të mbetet mister motivi i vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit

Të premten e 26 nëntorit, i tërë vendi u trondit nga një vrasje makabër e cila ndodhi në Gllogjan të Deçanit, ku nga të shtënat në drejtim të një autobusi mbetën të vrarë tre persona, në mesin e tyre shoferi i autobusit dhe dy nxënës, si dhe i plagosur mbeti një nxënës tjetër.

Sipas Policisë, vrasjet dyshohen se u kryen me armë zjarri të llojit AK-47. E tash kur janë bërë afro një javë nga kjo ngjarje e rëndë, ende nuk është arritur të arrestohet kryerësi i kësaj vepre dhe motivi i kësaj ngjarje ende mbetet mister.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Pejës, për të parë nëse ka zhvillime të reja lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.

Autoritetet në Kosovë, menjëherë pas rastit, thanë se janë duke hetuar dy apo tri pista lidhur me vrasjen e trefishtë, por deri tash ende nuk ka asgjë të re.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë një prononcimi për media nga Deçani, tha më 27 nëntor se ende nuk kanë një motiv lidhur me sulmin me armë zjarri ndaj një autobusi, me ç’rast u vranë shoferi dhe dy nxënës. Ndërkaq, edhe një nxënës mbeti i plagosur.

“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dy, përkatësisht tri pistave të mundshme të hetimit dhe të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur, por edhe provat materiale nga vendi i ngjarjes çojnë në këtë drejtim. Po flasim për një person, por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë, që nënkupton se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit, janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme, të cilat do të na tregojnë saktë se prej nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla një ditë pas rastit të ndodhur, i bëri ultimatum dorasit që të dorëzohet dhe ftoi qytetarët, që kanë informacione, t’iu drejtohen organeve të rendit.

“Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë që kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale”, tha Sveçla.

Nga Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, të hënën më 29 nëntor, deklaruan se kanë siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por theksuan se hetimet “nuk janë të lehta”.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera, shkruan Telegrafi.

Për të zbuluar sa më shpejt motivin e kësaj ngjarje dhe për të kapur kryerësit e kësaj vepre të rëndë penale, Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për ata të cilët kanë informacione që mundësojnë arrestimin e autorit të kësaj vrasje.

nga TaboolaRekomanduarMund t’ju interesojnë
Nuk do ta besoni kush i shkakton rrudhat, flet dermatologia me shumë vite eksperiencë

“Apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti. Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe e-mail: [email protected]”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës të dielën më 28 nëntor.

Të dielën, u është dhënë edhe lamtumira e fundit dy nxënësve që mbetën të vrarë në këtë sulm, si dhe shoferit të autobusit.

Më 26 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Ngjarjen e dënuan edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë dhe rajon. Gjithashtu për këtë ngjarje kanë reaguar edhe zyrtarët nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.