Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësime se shtetet e pasura do të nisin të grumbullojnë vaksina anti-COVID vetëm për vete në përgjigjen për përhapjen e shpejtë të variantit Omicron.
OBSH-ja ka thënë se kjo rrezikon zinxhirin e furnizimit të kombeve ku shumica e qytetarëve janë të pavaksinuar.
Disa shtete të pasura kanë nisur përshpejtimin e dozës përforcuese si përgjigje ndaj variantit.
Drejtoresha e vaksinimit në OBSH, Kate O’Brien ka lutur shtetet e pasura të vazhdojnë të dhurojnë doza të vaksinave për shtetet tjera për të adresuar më shpejt pabarazinë në luftën ndaj COVID-19.
“Teksa po hyjmë në situatën e re me Omicron, pavarësisht si do të jetë, ka rrezik që zinxhiri botëror i furnizimit do të kthehet sërish te shtetet e pasura që do të grumbullojnë vaksinat”, është shprehur ajo.
Furnizimi i programit të shpërndarjes së vaksinave, “COVAX”, është rritur ndjeshëm muajve të fundit. Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë kanë shprehur frikën se pengesat që u shfaqën në valët e fundit të COVID-19 do të përsëriten.
Omicroni është varianti me më së shumti mutacione deri tash. U identifikua për herë të parë në Afrikën Jugore, ndërsa ka pasur shpërthim në disa shtete tjera.
Në botë, që nga nisja e pandemisë në fillim të 2020-s, janë regjistruar 267 milionë raste me COVID-19, e mbi pesë milionë vdekje.