Papa Francesku ka pranuar së fundi se Kisha Katolike Romane ka një problem të vazhdueshëm me abuzimet seksuale të murgeshave nga priftërinjtë e peshkopët, të cilat i përdorin si “skllave seksi”.
Pranimi publik i problemit nga kryeprifti shton akoma më shumë presionin e skandaleve të tilla mbi klerin, pas krizës globale të abuzimit seksual me fëmijët nga institucionet e tij.
Vitet e fundit murgeshat katolike kanë ngritur zërin e tyre për sulmet seksuale nga klerikë të lartë in institucione të kontinenteve si Afrika, Amerika Latine, Indisë apo Italisë.
Duke folur me rrjetin Associated Press gjatë fluturimit të kthimit nga Abu Dhabi, Papa pranoi se “duhet bërë më shumë” për të adresuar krizën:
“Është e vërtetë … ka priftërinj e madje peshkopë që e kanë bërë këtë. Mendoj se kjo vazhdon të ndodhë pasi nuk mund të ndalojë vetëm sepse dikush e denoncon”, tha Papa me qetësinë e tij që e karakterizon.
Nuk dihet sesi mund të ketë ndikuar prononcimi i tij i relaksuar te viktimat e abuzimit.
Papa shtoi se një urdhër murgeshash ishte shpërbërë nga pararendësi i tij Papa Benedikti, për arsye të abuzimeve që arrinin deri në “skllavëri seksuale” nga klerikët e lartë.
Papa Francesku shtoi:
“Është një udhë që e kemi kaluar dhe më parë. Papa Benedikti pati kurajon të shpërbënte një urdhër grash murgesha që ishte në një nivel të caktuar, sepse kjo ishte një skllavëri e grave prej klerikëve ose themeluesve”.
Një zëdhënës i Vatikanit konfirmoi më vonë për rrjetin CBS News se rrjeti i shpërbërë i murgeshave në 2005 ishte në fakt Komuniteti St. Jean në Francë.
Komentet vijnë pas një artikulli në një revistë të grave në Vatikan për abuzimet me murgeshat në Kishën Katolike.
Në artikullin e revistës “Bota e Grave të Kishës”, kryeredaktorja Lucetta Scaraffia shkruante se murgeshat detyroheshin të abortonin nga priftërinjtë, ose të rrisnin fëmijë që priftërinjtë nuk i pranonin si të tyret.
Aj shtonte se përdhunuesit gëzonin pandëshkueshmëri prej kulturës së heshtjes që rrethonte krimet e tyre.
Scaraffia shkruante:
“Nëse vazhdohet të mbyllen sytë ndaj këtij skandali – i cili rëndohet më shumë nga fakti se abuzimi i grave sjell lindje fëmijësh që nuk njihen nga priftërinjtë – gjendja e shtypur e grave në Kishën Katolike nuk do të ndryshojë”./tch