Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dorëzon sot dorëheqjen në parlament. Këtë ai e konfirmoi edhe vetë gjatë vizitës në Tiranë, kur në konferencën për shtyp mbajtur në kuadër të “Open Ballkan”, tha se kjo do të ishte dita e fundit e tij si shef i ekzekutivit maqedonas.
Zaev e kishte paralajmëruar vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjeve lokale, ku partia e vet shënoi një rezultat mjaft të dobët.
Në të njëjtën kohë, ka vendosur të largohet edhe nga posti i kryetarit të LSDM-së; frerët e partisë në pushtet tashmë i kalojnë Dimitar Kovacevskit, i cili do të jetë dhe i mandatuari i ri për kryeministër dhe për formimin e qeverisë së re në Shkup.
Pas dorëheqjes së kryeministrit, presidenti në Maqedoninë Veriore ka 10 ditë kohë për t`i besuar mandatin partive që kanë shumicën në Kuvend.
Kryeministri i mandatuar ia paraqet parlamentit programin brenda një afati 20 ditor nga dita e marrjes së mandatit dhe propozon krijimin e qeverisë. Zaev ishte zgjedhur kryeministër prillin e vitit 2017./tch