Fjalë Kyçe

Hyn në fuqi ligji që lejon vetëvrasjen e asistuar në Austri

Hyn në fuqi ligji që lejon vetëvrasjen e asistuar në Austri

Nga e shtuna, njerëzit mbi 18 vjeç që janë të sëmurë përfundimisht ose vuajnë nga një gjendje e përhershme, dobësuese, mund të zgjedhin vdekjen e asistuar. Parlamenti miratoi ligjin e ri në dhjetor, pas një vendimi të gjykatës kushtetuese për këtë çështje.

Praktika do të jetë e rregulluar, me çdo rast të vlerësuar nga dy mjekë, njëri prej të cilëve duhet të jetë ekspert i mjekësisë paliative.

Zyrtarët thonë se qeveria ka alokuar gjithashtu fonde për të zhvilluar kujdesin paliativ për të siguruar që askush të mos zgjedhë të vdesë kur opsionet e tjera janë në dispozicion.

Vetëvrasja e asistuar, në të cilën dikujt i jepen mjetet për t’i dhënë fund jetës, është e ligjshme në shtetin fqinj me Austrinë, në Zvicër, shkruan BBC.

Ndihma aktive për vetëvrasje do të mbetet e paligjshme në Austri dhe rregullat e reja përjashtojnë në mënyrë eksplicite të miturit ose ata me probleme të shëndetit mendor. Të rriturit që duan t’i japin fund jetës së tyre duhet të bëjnë një diagnozë dhe të kenë konfirmim se janë në gjendje të marrin vendimet e tyre.

Pas marrjes së miratimit nga dy mjekë, pacientët duhet të presin 12 javë për të reflektuar mbi vendimin e tyre, ose dy javë nëse kanë një sëmundje terminale. Nëse ata ende duan të vazhdojnë pas kësaj periudhe pritjeje, atëherë ata mund të marrin barna vdekjeprurëse në një farmaci pasi t’i japin njoftim një avokati ose noteri.

Për të parandaluar abuzimin, emrat e farmacive që shesin këto barna do t’u zbulohen vetëm avokatëve dhe noterëve që marrin këto njoftime dhe nuk do të reklamohen publikisht. Deri më tani, sipas ligjit austriak, kushdo që shtynte ose ndihmonte dikë të vriste veten përballej me deri në pesë vjet burg, përcjell klankosova.

Ndalimi absolut për vdekjen e asistuar u hoq nga një gjykatë federale vitin e kaluar, e cila vendosi se ai “shkel të drejtën e vetëvendosjes”.

Përpara se rregullat e reja të miratoheshin nga parlamenti këtë vit, disa kundërshtarë politikë argumentuan se ajo vendoste shumë pengesa në rrugën e atyre që kërkonin vdekjen e asistuar.

Të tjerë argumentuan se do të vendoseshin shumë pak kufizime, duke thënë se një vlerësim psikiatrik nuk ishte i mjaftueshëm për të vlerësuar aftësinë vendimmarrëse të pacientëve.